Kosova ndalon hyrjen e ministrit serb të Shëndetësisë, përgjigje ndaj bllokimit të vizitës së ministrit Çeku në Preshevë
Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e ministrit serb të Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, si kundërpërgjigje ndaj injorimit të kërkesës së ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrullah Çeku, për të vizituar Preshevën.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, kërkesa për vizitën e ministrit Çeku në Preshevë i është përcjellë Zyrës Ndërlidhëse të Qeverisë së Serbisë në Prishtinë më 20 mars, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe.
“Një sjellje e tillë është shembull i qartë i destruktivitetit të Serbisë”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
Ndërkohë, Ministria serbe e Shëndetësisë ka reaguar, duke e quajtur të papranueshme ndalimin e hyrjes së Lonçarit në Kosovë. Sipas autoriteteve serbe, vizita ishte planifikuar për të inspektuar qendrat klinike dhe spitalore në Mitrovicë dhe Graçanicë.
Lista Serbe gjithashtu e ka dënuar vendimin e qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar atë në kundërshtim me marrëveshjet ekzistuese mes Beogradit dhe Prishtinës.