“Kosova do të duket si Kandahar, Serbia do t’i ketë duart e lira”/ Dokumenti “Top Secret” i shërbimit sekret serb në telefonin e Shehollit, zbulohet plani për xhamitë
Fatmir Shehollit i është gjetur edhe një dokument tjetër i nënshkruar nga një zyrtar i lartë i Sigurimit Shtetëror Serb.
Prokuroria Speciale, pas analizimit të këtij dokumenti të emërtuar “Leptiri”, thotë se bëhet fjalë për një dokument të vitit 2001, të përpiluar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror Serb dhe që ka të bëjë me komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit (kryeministër në detyrë i Kosovës), gjatë kohës që mbahej i burgosur në Serbi.

“Nga analiza e dëshmisë, përkatësisht dokumentit të emërtuar ‘Leptiri’, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën ‘Leptiri’ për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Në aktakuzën e disponuar nga korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, thuhet se Sheholli këtë dokument e ka shpërndarë te disa persona dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.
“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.
Deklarimi i Shehollit për dokumentin “Leptiri”:
– I pandehuri: Këtë dokument ma ka dërguar Bojan Dimiç në telefonin tim.
– Prokurori: Kujt ia keni shpërndarë dokumentin “Leptiri” që e keni marrë nga Bojan Dimiç?
– I pandehuri: Këtë ia kam dërguar Milazim Gashit, një mikut tim, i cili është në SHISH të Shqipërisë, me emrin Dritan Gjoni – shef i SHISH-it në Durrës. Ia kam dërguar Blerim Canajt dhe një personi me emrin Bashkim Pushkolli, por nuk jam i sigurt a ia kam dërguar.
Top Channel, përcjell A1 Info