Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc do të bëhet realitet, thotë Arber Pajaziti
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti, ka deklaruar se hapja e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc është një proces që po ecën përpara dhe se së shpejti pritet të bëhet realitet.
Pajaziti ka shprehur mirënjohje për ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, si dhe për diplomacinë shqiptare, duke vlerësuar angazhimin e tyre për forcimin e pranisë institucionale të Shqipërisë në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, çështja e hapjes së konsullatës ka qenë pjesë e vazhdueshme e koordinimeve me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, ndërsa janë trajtuar edhe aspektet teknike për krijimin e një përfaqësimi diplomatik dinjitoz në Bujanoc.
Pajaziti bëri të ditur se, me autorizim të misionit diplomatik shqiptar, këtë çështje e ka ngritur edhe në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, ndërsa koordinimet janë thelluar edhe gjatë takimit të zhvilluar më 3 qershor në Tiranë me ministrin Ferit Hoxha.
Duke komentuar debatet për ndërlidhjen e hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc me mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, Pajaziti tha se këto janë dy çështje të ndryshme. Sipas tij, prania institucionale e Shqipërisë në Luginën e Preshevës është një nevojë reale që buron nga lidhjet historike, kombëtare, kulturore dhe familjare me shqiptarët e kësaj treve, ndërsa një përfaqësi e Serbisë në Shkodër lidhet me parimet e reciprocitetit diplomatik.
Në përfundim, Pajaziti theksoi se vetëqeverisja lokale do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet shqiptare për finalizimin e këtij projekti, duke e cilësuar hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc si një hap strategjik për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.