Kongresmenët Amerikanë në Preshevë: Çortim për PVD-në apo mbështetje për korrigjimin e kufijve?
Ardhja e kongresmenëve amerikanë në Preshevë nuk është një vizitë e zakonshme politike. Ajo ndodh në një kohë kur përballen dy koncepte të kundërta për fatin politik dhe kombëtar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Dy qasje të ndryshme, dy vizione të ndryshme dhe dy rrugë krejtësisht të kundërta për të ardhmen.
Në njërën anë qëndron Partia për Veprim Demokratik (PVD), e lidhur ngushtë politikisht dhe ideologjikisht me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kundërshton idenë e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit territorial. Qasja e tyre vazhdon të mbështetet në formulën që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të mbeten brenda Serbisë, duke kërkuar të drejta të barabarta me ato që gëzojnë serbët në Kosovë.
PVD-ja, duke u thirrur vazhdimisht në Referendumin e vitit 1992, Marrëveshjen e Konçulit, vendimet për bashkësi komunash, planet politike dhe dokumente të ndryshme, për më shumë se tri dekada ka manipuluar diskursin politik pa prodhuar një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë për shqiptarët e Luginës. Sot shtrohet pyetja thelbësore: çfarë kanë prodhuar realisht këto politika për shqiptarët e Luginës?
Pas më shumë se tridhjetë vitesh, Lugina vazhdon të përballet me shpërngulje, diskriminim institucional, pasivizim adresash, mungesë zhvillimi ekonomik dhe pasiguri politike. Kur një politikë përsëritet për dekada pa arritur objektivin strategjik, atëherë ajo nuk mund të quhet më strategji afatgjatë; ajo rrezikon të shndërrohet në menaxhim të status quo-së për interesa pushteti.
Në anën tjetër qëndron ideja e korrigjimit të kufijve, e diskutuar ndër vite dhe e rikthyer fuqishëm gjatë administratës Trump. Sipas kësaj qasjeje, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do t’i bashkoheshin Republikës së Kosovës, ndërsa Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi do t’i kalonin Serbisë.
Mbështetësit e kësaj ideje nuk e shohin atë si ndarje të Kosovës, por si kompromis historik dhe zgjidhje përfundimtare mes shqiptarëve dhe serbëve. Jo vetëm paqe mes dy popujve, por stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Prandaj, ardhja e kongresmenëve amerikanë mund të jetë shumë më tepër se një vizitë simbolike. Ajo mund të jetë mbështetje për qasjen aktuale politike, por mund të jetë edhe një çortim politik ndaj lidershipit aktual nëse vlerësohet se për vite me radhë nuk janë prodhuar rezultate konkrete për shqiptarët e Luginës.
Shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë për shumë dokumente politike. Nuk kanë nevojë për përsëritje të të njëjtave formula për dekada. Kanë nevojë për një kërkesë të qartë, një strategji të unifikuar dhe një zgjidhje të qëndrrueshme.
Pyetja nuk është më vetëm se çfarë kërkojmë. Pyetja është: cila rrugë e zgjidh përfundimisht çështjen shqiptare në Luginën e Preshevës dhe garanton paqe të qëndrueshme mes dy popujve?
Nëse qëllimi është një zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare, atëherë korrigjimi i kufijve shihet nga mbështetësit e kësaj ideje si rruga që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkangjiten Republikës së Kosovës dhe të mbyllet një konflikt historik me një marrëveshje që krijon paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Historia nuk i kujton ata që menaxhojnë problemet. Historia kujton ata që i zgjidhin ato.