Kongresi amerikan shqyrton diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Uashington – Kongresisti amerikan Keith Self ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve projektligjin H.R. 6411, i cili kërkon përgatitjen e një raporti zyrtar mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Projektligji, i titulluar “Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”, është paraqitur më 3 dhjetor 2025 dhe i është referuar Komisionit për Punë të Jashtme, ku ka kaluar pa asnjë votë kundër.
Sipas tekstit të projektligjit, Sekretari i Shtetit i SHBA-së obligohet që, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, t’i dorëzojë Komisionit për Punë të Jashtme një raport të detajuar mbi një sërë praktikash që mund të përbëjnë diskriminim institucional ndaj shqiptarëve etnikë në Serbi.
Raporti do të vlerësojë, ndër të tjera, praktikën e ashtuquajtur të “pasivizimit” të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila, sipas shqetësimeve të ngritura, mund t’u mohojë atyre dokumentet e identitetit dhe të drejtën e votës. Po ashtu, do të shqyrtohet përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, njohja e diplomave të fituara në Kosovë, përdorimi i gjuhës shqipe në dokumente zyrtare dhe institucionet publike, si dhe furnizimi me tekste shkollore në gjuhën shqipe.
Projektligji ngre shqetësime edhe për shpërndarjen e fondeve buxhetore, përdorimin e simboleve kombëtare, presionin e mundshëm nga policia dhe forcat e rendit, mbështetjen për mediat dhe kulturën shqipe, si dhe për ndikimin e politikave shtetërore në varfërinë dhe kushtet e jetesës së shqiptarëve në rajon.
Raporti do të dorëzohet në formë jo të klasifikuar, me mundësi shtojce të klasifikuar nëse konsiderohet e nevojshme. Ky hap shihet si një zhvillim i rëndësishëm në rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe politikave të Serbisë ndaj pakicave etnike.



