Komuna e Gjilanit nis asfaltimin nga Llovca deri në Kokaj, investim me rëndësi edhe për Malësinë e Preshevës
PRESHEVË/GJILAN – Komuna e Gjilanit ka filluar asfaltimin e rrugës nga fshati Llovcë deri në fshatin Kokaj, në afërsi të kufirit me Serbinë, respektivisht me zonën e fshatit Ranatoc. Ky investim në infrastrukturën rrugore të zonave rurale të Gjilanit ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për banorët e Malësisë së Preshevës.
Përmirësimi i këtij aksi rrugor pritet të lehtësojë qarkullimin dhe lidhjen e banorëve të kësaj ane, veçanërisht për vendbanimet Ranatoc, Maxhere, Ilincë, Gosponicë dhe Stane, si dhe për Malësinë e Preshevës në tërësi.
Banorët e kësaj zone e kanë mirëpritur investimin e Komunës së Gjilanit, duke e konsideruar një punë për t’u vlerësuar, sidomos për faktin se bëhet fjalë për një rajon që prej dekadash përballet me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme dhe me shpërngulje të vazhdueshme të popullsisë.
Sipas banorëve, infrastruktura rrugore ka qenë një ndër problemet kryesore të Malësisë së Preshevës gjatë periudhave të ndryshme të qeverisjes. Ata thonë se investimet konkrete në asfaltimin e rrugëve të kësaj zone kanë qenë të pakta.
Një banor i Malësisë, duke folur për A1 Info, shprehet i zhgënjyer me partitë që kanë udhëhequr për vite me radhë në Preshevë.
“Përkundër faktit se për vite kemi votuar PDSH-në dhe PVD-në, zëri ynë nuk është dëgjuar. Kemi përshtypjen se Malësia është trajtuar si zonë e dorës së dytë dhe se nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm për problemet tona”, tha ai.
I pyetur nëse pret që pushteti aktual lokal të ndërhyjë me investime të reja në këtë zonë, banori shprehet skeptik.
“Nuk besoj. Më parë presim që të hiqet edhe kjo pjesë që është shtruar, sesa të sjellin diçka të mirë për Malësinë”, u shpreh ai, duke reflektuar mosbesimin e krijuar ndër vite ndaj institucioneve lokale.
Banorët përmendin si një prej investimeve të rëndësishme asfaltimin e segmentit rrugor nga Buhiqi deri në Ilincë, të realizuar gjatë qeverisjes lokale të LR-së dhe APN-së. Sipas tyre, edhe ky projekt ishte shoqëruar në atë kohë me kundërshtime dhe përplasje politike mes pozitës së atëhershme dhe opozitës.
Përtej debateve partiake, problemi kryesor mbetet gjendja e fshatrave të Malësisë. Mungesa e rrugëve dhe e infrastrukturës tjetër bazë, sipas banorëve, ka ndikuar ndër vite në shpërnguljen masive të popullsisë dhe në zbrazjen e vendbanimeve.
Asfaltimi i rrugës Llovcë–Kokaj nga Komuna e Gjilanit shihet për këtë arsye si një zhvillim pozitiv që tejkalon kufijtë administrativë. Përmirësimi i qarkullimit në këtë pjesë krijon kushte më të mira komunikimi edhe për banorët në anën tjetër të kufirit, veçanërisht për Ranatocin dhe vendbanimet e tjera të Malësisë së Preshevës.
Banorët kërkojnë që edhe institucionet e Komunës së Preshevës ta trajtojnë Malësinë si prioritet dhe të investojnë në rrugë dhe infrastrukturë, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe frenimin e mëtejshëm të shpërnguljes.