Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miraton rezolutë për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Uashington – Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke shënuar një qëndrim zyrtar të SHBA-së ndaj kësaj çështjeje.
Mirënjohje e veçantë i është shprehur Kongresistit Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor. Po ashtu, vlerësohet përkrahja dypartiake e Kryetarit të Komitetit, Brian Mast, dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Rezoluta pritet të kalojë në procedurë për miratim edhe në Kongresin e plotë të SHBA-së.
Ky zhvillim është rezultat i një angazhimi të gjatë që nga viti 2001, me mbështetjen e vazhdueshme të Joe dhe Shirley DioGuardi dhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe me kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Texas, përmes organizatës “Albanians For America”.