KKSh REFUZON PJESËMARRJEN NË TAKIMIN ME QEVERINË SERBE: “KOHA E DIALOGUT PA REZULTATE KA PËRFUNDUAR”
Preshevë, 29 Prill 2025 –
Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSh), përmes një kumtese zyrtare nga kryetari i tij, z. Enver Rexhepi, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e radhës me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut, Pakicat dhe Dialogun Social të Qeverisë së Serbisë. Vendimi është motivuar nga mungesa e zbatimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve zyrtare që synojnë përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Nuk kemi nevojë për tryeza të reja apo ‘ridialogim’ për çështje që janë diskutuar për vite – kërkojmë zbatim të zotimeve shtetërore,” thuhet në deklaratë.
Dështime të Qeverisë që e kanë motivuar refuzimin:
KKSh ka listuar disa nga dështimet kyçe të Qeverisë së Serbisë, përfshirë:
Moszbatimi i Planit Aksional për Integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore; Mosnjohja e diplomave të të rinjve shqiptarë të diplomuar në Kosovë, që prek drejtpërdrejt rreth 17 gjenerata; Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, me qëllim të ndryshimit artificial të strukturës etnike; Zvogëlimi i numrit të të punësuarve shqiptarë në sektorin publik; Bllokimi i subvencioneve për 953 bujq në rajon, duke pamundësuar mbështetjen bujqësore; Mungesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Luginë.
Mesazh i qartë: jo më dialog pa vepra
Këshilli deklaron se pjesëmarrja në tryeza të reja do të ishte “legjitimim i një dialogu formal pa ndikim real” dhe thekson se shqiptarët e Luginës kërkojnë zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara dhe hapa të matshëm nga institucionet shtetërore.
“Presim që Qeveria e Serbisë të tregojë seriozitet dhe të respektojë zotimet e veta për të drejtat e qytetarëve shqiptarë,” përfundon deklarata.
A1 info