Kina paralajmëron SHBA-në: “Jemi gati për çdo lloj lufte”
BBC raporton, duke transmetuar KTV dhe përcjellë nga A1 Info, se Kina ka paralajmëruar SHBA-në se është e gatshme për “çdo lloj lufte”, si kundërpërgjigje ndaj tarifave tregtare të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.
Këto tarifa, të cilat hynë në fuqi të martën ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, kanë shtuar tensionet mes dy ekonomive më të mëdha të botës, duke i afruar ato më shumë drejt një lufte tregtare.
Në përgjigje, Kina ka vendosur tarifa prej 10-15% për produktet bujqësore amerikane, duke reaguar shpejt ndaj politikave të Trump-it.
“Nëse lufta është ajo që dëshiron SHBA-ja — qoftë ajo një luftë tarifash, një luftë tregtare apo çdo lloj lufte tjetër — ne jemi gati të luftojmë deri në fund”, thuhet në një postim në X nga Ambasada Kineze në Uashington.
Kjo deklaratë përbën njërën nga retorikat më të ashpra të Kinës që kur Trumpi ka marrë detyrën si president, dhe vjen në një kohë kur udhëheqësit më të lartë të vendit janë mbledhur në Pekin për hapjen e Kongresit Kombëtar Popullor Vjetor.
Ndërkohë, të mërkurën, Kryeministri i Kinës, Li Qiang, ka njoftuar se Kina do të rrisë përsëri shpenzimet e saj të mbrojtjes me 7.2% këtë vit, një lëvizje që shihet si mesazh i qartë për fuqinë e tyre ushtarake.
Liderët në Pekin synojnë të japin mesazhin se, pavarësisht kërcënimeve për luftë tregtare, ekonomia kineze mbetet e fortë dhe në rritje.
Në të njëjtën kohë, Kina është përpjekur të portretizojë veten si një vend i qëndrueshëm dhe paqësor, në kontrast me SHBA-në, të cilën e akuzon për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
A1 Info do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet mbi këtë përplasje mes dy superfuqive botërore.