Kina kundërpërgjigjet: Vendos 84% tarifë për mallrat amerikane nga 10 prilli
Pekin, 9 prill 2025 – Ministria e Financave e Kinës ka njoftuar se do të vendosë tarifa shtesë ndaj mallrave amerikane, duke filluar nga data 10 prill. Tarifat e reja, që arrijnë në 84%, janë përgjigje ndaj masave të reja tarifore të administratës amerikane.
Lajmi u publikua nga Reuters, ku theksohet se vendimi i Pekinit vjen pikërisht në ditën kur kanë hyrë në fuqi tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump ndaj vendeve që, sipas tij, aplikojnë barriera të larta tregtare për produktet amerikane.
Sipas të dhënave, Kina është goditur më së shumti, me një tarifë prej 104% nga SHBA, e cila u rrit të martën pasi Kina nuk pranoi të ulej në bisedime tregtare, siç ishte kërkuar nga presidenti amerikan.
Kjo përshkallëzon më tej tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë dhe shton rrezikun për një luftë të re tregtare që mund të ndikojë ndjeshëm në ekonominë globale.
Burimi: Reuters