Kina kthen mbrapsht avionët Boeing në shenjë hakmarrjeje ndaj tarifave të SHBA-së
Kina ka kthyer prapa disa avionë që i kishte porositur nga kompania amerikane Boeing, si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump. Lajmin e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i prodhuesit të avionëve, Kelly Ortberg, raportoi BBC.
Sipas Ortberg, dy avionë janë kthyer tashmë, ndërsa pritet që edhe një tjetër të pasohet së shpejti, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Ai ka deklaruar për CNBC se ndonëse ishte planifikuar që 50 avionë të dërgoheshin në Kinë gjatë këtij viti, klientët kinezë kanë sinjalizuar se nuk do t’i pranonin ato.
SHBA-ja ka vendosur tarifa të ashpra për importet kineze, me një normë prej 145%, ndërsa Kina është kundërpërgjigjur me një taksë prej 125% për mallrat amerikane.
Nga Zyra Ovale, të martën, presidenti Trump u shpreh optimist për një zgjidhje të mundshme në raportet tregtare me Kinën, duke thënë se tarifat do të “uleheshin ndjeshëm, por nuk do të jenë zero”.
Boeing, si eksportuesi më i madh i Shteteve të Bashkuara, realizon rreth 70% të shitjeve të avionëve të saj komercialë jashtë vendit. Ortberg ka shtuar se kompania është duke vlerësuar mundësinë për të rishitur 41 avionë të ndërtuar tashmë, pasi ka interes të lartë nga linjat e tjera ajrore.