Kina dhe Rusia dënojnë ashpër veprimin ushtarak amerikan në Venezuelë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia dënuan ashpër veprimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, ndërsa Uashingtoni mbrojti veprimet e tij duke i cilësuar si një operacion legjitim të zbatimit të ligjit. Debati nxori në pah përçarje të thella mes fuqive botërore pas arrestimit të presidentit venezuelian Nikolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Silia Flores.
Përfaqësuesi i Kinës në OKB, Fu Cong, akuzoi SHBA-në për shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi se, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja ka injoruar shqetësimet serioze të komunitetit ndërkombëtar dhe ka shkelur sovranitetin, sigurinë, si dhe të drejtat dhe interesat legjitime të Venezuelës, duke cenuar parimin e barazisë sovrane.

“Nuk ka asnjë shtet që mund të sillet si polic i botës, dhe asnjë vend nuk mund ta konsiderojë veten gjykatës ndërkombëtar,” deklaroi Fu. Kina i bëri gjithashtu thirrje SHBA-së që të lirojë menjëherë Nikolas Maduron dhe bashkëshorten e tij.
Rusia u rreshtua me qëndrimin e Pekinit, duke theksuar se përdorimi i forcës dhe ndërhyrja në punët e brendshme të një shteti sovran përbëjnë precedent të rrezikshëm për rendin ndërkombëtar. SHBA, nga ana e saj, insistoi se veprimi ishte i justifikuar dhe në përputhje me ligjin.