Këshilli Kombëtar Shqiptar ngre shqetësimin për mungesën e shqiptarëve në institucionet e sigurisë
Në një takim të zhvilluar me drejtorin për siguri në misionin e OSBE në Serbi, Valentin Mikhailov dhe bashkëpunëtorët e tij, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar diskutuan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Lugina e Preshevës, me theks të veçantë tek mungesa e integrimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
Sipas Këshillit, refuzimi i vazhdueshëm nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të pranuar dhe rekrutuar shqiptarë në polici tash e më shumë se një dekadë, nuk përbën vetëm problem të integrimit institucional, por po shndërrohet edhe në çështje serioze sigurie për shqiptarët në Lugina e Preshevës.
Si shembull i fundit u përmend konkursi i fundit për policë, ku nga afro 30 kandidatë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, nuk u pranua asnjë kandidat.
Po ashtu u theksua se nga mbi 90 policë shqiptarë sa kishte para dhjetë vitesh në komunën e Bujanoci, sot ky numër ka rënë në rreth 50. Për shkak të pensionimit të vazhdueshëm të policëve shqiptarë ekzistues, sipas tyre, shumë shpejt ky numër mund të mbetet vetëm simbolik. Gjendje e ngjashme, sipas Këshillit, mbretëron edhe në Presheva dhe Medvegja.
Në takim u theksua nevoja për rikthimin e një programi të mirëfilltë të policisë multietnike, të ngjashëm me atë të fasilituar nga OSBE në fillim të viteve 2000 pas Marrëveshja e Konçulit, kur qindra shqiptarë u integruan në polici.
Sipas përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pa një përfaqësim të drejtë në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe besim institucional tek mbi 60 mijë shqiptarët që jetojnë në Lugina e Preshevës.
Gjatë takimit u ngrit shqetësimi edhe për mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, ku numri i tyre, sipas Këshillit, është reduktuar në nivele simbolike, duke krijuar ndjenjë pasigurie dhe mungesë besimi institucional tek shqiptarët autoktonë të zonës.