Kamberi godet ashpër pas deklaratave të Petrovićit: Kujt po i pengojnë policët shqiptarë në Preshevë e Bujanoc?
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit shovinist Slobodan Petrović, duke denoncuar atë që e cilëson si një fushatë të orkestruar kundër pjesëtarëve shqiptarë të Policisë së Serbisë në Preshevë dhe Bujanoc.
Kamberi ka ngritur alarmin se, pas më shumë se një dekade gjatë së cilës shqiptarët pothuajse janë përjashtuar nga rekrutimi në polici, tashmë në shënjestër po vihen edhe ata pak policë shqiptarë që kanë mbetur në stacionet policore të Luginës së Preshevës.
“Kujt dhe pse po i pengojnë policët shqiptarë?”, është pyetja që Kamberi ia drejton politikës së Beogradit.
Sipas tij, situata ka arritur në një pikë alarmante: pushteti vazhdon politikën e mosrekrutimit dhe zvogëlimit të numrit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë, ndërsa përfaqësues të caktuar të opozitës po i vendosin nën sulm publik edhe shqiptarët që tashmë shërbejnë në polici.
Kamberi vlerëson se, pavarësisht dallimeve politike mes tyre, pushteti dhe një pjesë e opozitës në Beograd po takohen në të njëjtën pikë kur bëhet fjalë për shqiptarët: presion, përjashtim dhe diskriminim institucional.
Ai e konsideron të papranueshme gjuhën dhe akuzat që po drejtohen ndaj policëve shqiptarë, duke rikujtuar se prania e shqiptarëve në polici nuk është privilegj dhe as “dhuratë” e Beogradit.
Integrimi i shqiptarëve në polici nisi në vitin 2001, në kuadër të procesit politik të ndërmjetësuar nga OSBE-ja, me synimin që të ndërtohej një polici multietnike dhe të garantohej përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
Por më shumë se dy dekada më vonë, sipas Kamberit, në vend të forcimit të këtij modeli, po ndodh e kundërta: numri i policëve shqiptarë po zvogëlohet vazhdimisht.
Për këtë arsye, deputeti shqiptar kërkon që në vend të sulmeve ndaj policëve shqiptarë, Beogradi të japë përgjigje për tri pyetje thelbësore:
Pse prej më shumë se një dekade nuk po rekrutohen shqiptarë në polici? Pse përfaqësimi i tyre po zvogëlohet vazhdimisht? Dhe kujt i shërben politika e përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet e sigurisë?
Kamberi paralajmëron se sulmet ndaj pjesëtarëve shqiptarë të policisë nuk mund të paraqiten si betejë për ligjshmëri, profesionalizëm apo reforma institucionale, sepse, nëse kriteri do të ishte profesionalizmi, ai do të duhej të zbatohej njësoj ndaj të gjithëve, pa dallim etnie.
Sipas tij, problemi është politik dhe duhet trajtuar pikërisht si i tillë.
“Apo mos ndoshta edhe ky numër i vogël i policëve shqiptarë që ka mbetur në Bujanoc dhe Preshevë po u duket shumë? Shumë pushtetit. Shumë edhe një pjese të opozitës. Nëse është kështu, atëherë le ta thonë hapur”, është mesazhi i Kamberit.
Në fund, deputeti shqiptar dërgon një paralajmërim të qartë politik drejt Beogradit: shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të pranojnë që përfaqësimi i tyre në polici dhe në institucionet shtetërore të shndërrohet në monedhë për pazaret dhe përplasjet e politikës serbe.
Sulmet ndaj policëve shqiptarë, sipas Kamberit, vetëm sa e nxjerrin edhe më hapur në sipërfaqe pyetjen që Beogradi prej vitesh shmang: pse shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vazhdon t’u mbyllet dera e institucioneve shtetërore?