KALENDARTI HISTORIK
Më 2 shkurt të vitit 1951 u lind, Jakup Hasipi, në fshatin Sllupçan të Kumanovës. Ishte magjistër në teologji dhe patriot i njohur jo vetëm në fshat e në rrethin e Kumanovës por në tërë Maqedoninë edhe më gjerë. Studimet i kreu në universitetin e famshëm Al-Az’har, në fakultetin e bazave të Fesë Islame të Egjiptit në vitin 1985, ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit Gjatë viteve 1985-1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë ku ka dhënë një kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare. I vetëdijshëm për situatën në trojet tona në vitin 1990 kthehet në vendlindje për të kontribuar në gjendjen e rëndë të popullatës. Në ligjëratat e tij ishte shumë i përpiktë dhe i guximshëm, kështu që i ka bërë ballë kërcënimeve dhe marrjeve të shumta në pyetje nga ana e policisë sllavo-maqedonase. Nga kjo periudhë e gjer në vdekjen e tij ka organizuar mbi 5000 ligjërata, kontribut ky që ka dritë çdo ditë në trojet tona përmes ruajtjes multimediale Në vitin 2001 gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, Jakup Hasipi paraqitet si njëri ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, sepse ishte i bindur se vetëm përmes kryengritjes popullata do të jetë në gjendje të arrijë lirinë dhe të drejtat e veta. Vdiq më 7 janar 2006 .
A1info