KALENDARI HISTORIK
Më 28 shtator të vitit 1730, në Stamboll, filloi kryengritja e jeniçerëve në krye me Halil Patronën. Kjo kryengritje del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Hurpishti, fshat i rrethit të Manastirit, arriti që me një kryengritje gjithë popullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mahmudin e Parë. Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, mbase afër Kavadarit apo Manastirit në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Halil Patrona, apo Halil Arnauti tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli Bashi, Ali Kafexhiu, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Llazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë. Sami Frashëri e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane.
a1info