KALENDARI HISTORIK
Më 29 qershor të vitit 1892 vdiq në Bejrut, Pashko Vasa. U lind në Shkodër, më 17 shtator të vitit 1825. Ishte nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgjimento-s, në Itali nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri, ku mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Më 1850 u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas u emërua me rrogë nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë. Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale. Gjatë luftës me Malin e Zi më 1860-61 kreu detyrën e sekretarit dhe përkthyesit të Ahmet Xhevdet Pashës. Më 1876 u caktua nëpunës për borxhet tek zyra e valiut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të 1877 këshilltar i Vilajetit të Kosovës. Në shtator të vitit 1879 u emërua këshilltar i Vilajetit të Edernes, ku punonte edhe Ismail Qemali.Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua mytesarif i Malit të Libanit me qendër në Beirut, post që e mbajti derisa ndërroi jetë më 29 qershor 1892. Është autor i romaneve të para nga jeta shqiptare, si Burgu im dhe Bardha e Temalit e të tjera si dhe i poezisë epope, o moj Shqipni e mjera Shqipni që u bë program shpirtëror i Rilindjes Kombëtare shqiptare. Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.
a1info