KALENDARI HISTORIK
Më 09 prill 1877 – Lindi në qytetin e Elbasanit, Lef Nosi, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan shqiptar. Njihet si babai i filatelisë shqiptare, personalitet me interesa të gjëra kulturore. Veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar, mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet n’atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj. për të shuguruar lëvizjen e Ballit Kombëtar, me bashkëdrejtuesit e të cilit do kishte edhe mosmarrëveshje. Njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi, kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit. Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit. Lef Nosi ka dhënë një kontribut shumë të madh në bibliotekën “Qemal Baholli” të qytetit, që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe. Pas vitit 1990, u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, me pjesëmarrjen e veçantë të familjes Nosi, mbesës së tij, Adelina Kosturi (Nosi) dhe birit të saj, Skënder Kosturi. Në vitin 2004, titullohet “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Një rrugë në Elbasan mban emrin Lef Nosi. Një shkollë e mesme në Prizren mban emrin e tij. Në vitin 2007, dekorohet me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Është cilësuar nga miq e të afërm të tij “akademik” dhe “personalitet kombëtar”, më shumë një “filolog” se sa një “politikan”. Nën kujdesin e lartë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës prof. dr. Myqerem Tafaj, në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Universiteti i Elbasanit “A. Xhuvani”, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe me bashkinë e qytetit të Elbasanit, organizojnë sesionin shkencor “Lef Nosi, figurë qendrore e historisë dhe kulturës shqiptare.
A1info