KALENDARI HISTORIK
Më 7 prill të vitit 1811 në fshatin Ninat të Çamërisë u lind, Hasan Tahsini, dijetar, astronom dhe intelektual i shquar i kohës Stamboll. Vdiq më 3 korrik të vitit 1881 në Stamboll. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të. Kur qe i ri ishte mësues privat i fëmijëve të Hajrullah Efendiut, Ministër i Arsimit i Perandorisë Osmane. Hajrullahu e emëroi më pas Tahsinin në shkollën osmane në Paris, ku Tahsini mësonte osmanishten dhe shkenca fetare duke qenë edhe imami i ambasadës osmane në kryeqytetin frëng dhe njëherit student i matematikës e shkencave natyrore në Universitetin e Parisit. Hasan Tahsini qëndroi 12 vite në Paris, i dërguar nga Reshid Pasha. Më 1869 u kthye në Perandorinë Osmane ku jetoi dhe punoi derisa vdiq.
a1info