KALENDARI HISTORIK
Më 8 mars të vitit 1887, Thimi Marko i shkruante shqiptarëve të Bukureshtit: Dëshira jonë u mbarua, shkolla shqipe u hap… Hapja e kësaj shkolle përbënte një ngjarje të veçantë në historinë e arsimit shqiptar sepse ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të mërgimit. Kjo shkollë fillonte realizimin e programeve të organizmave të brendshme e të jashtme për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe. Kjo kërkesë ishte parashikuar në Programin e Komitetit të Stambollit (shtator 1879) në Programin e Shoqërisë së Prizrenit (nëntor 1878) dhe në programin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (tetor 1878). Përveç gjuhës amtare, në shkollë mësohej shkrim, këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, mësim natyre, gjuhë turke, greqisht, frëngjisht. Shkolla u bë një qendër e fëmijëve të klasave të ndryshme. Po në atë vit u hapën edhe shkolla të tjera në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër.
A1info