KALENDARI HISTORIK
Më 20 shkurt 1815 lindi, Sylejman Vokshi, atdhetar komandant ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Fillimisht ka qenë delegat i Lidhjes e Prizrenit dhe më pas prijës ushtarak i saj. Si anëtar i komitetit qendror të Lidhjes në krye të komisionit të financave, Vokshi qe prijës me rëndësi në krahun ushtarak të Lidhjes. U lind në Voksh të Gjakovës, në një familje spahinjsh. Në periudhën e Tanzimatit mori pjesë në lëvizjen e Dervish Carës, arsye për të cilën e internuan në Anadoll. Më 1878 mori pjesë në mbledhjen e Prizrenit si delegat i Gjakovës, ku dhe firmosi Kararnamenë. Po atë vit, më 6 shtator, qe ndër organizatorët që mësyen kullën e Abdullah pashë Drenit për të shtënë në dorë mareshallin Mehmet Ali pashë Maxharrin që ishte mik tek ai, ndodhi që shënjoi të parin veprim ushtarak të Lidhjes. Në dhjetor të 1880 Lidhja u riorganizua dhe Vokshi mbajti krahun aktiv autonomist. Luftoi përkrah Haxhi Zekës dhe njësitë e tij zunë Shkupin më 4 janar 1881, Prishtinën me 18 janar dhe Mitrovicën, U kap nga forcat turke më 1885, fillimisht u dënua me vdekje, por më pas Sulltan Abdyl Hamidi i Dytë e fali dhe u dënua me internim dhe punë të detyruar.
A1info