KALENDARI HISTORIK
Më 30 janar të vitit 2016, vdiq Muhamet Pirraku. U lind në fshatin Flamuras, ish Sankovc të Drenicës, më 12 tetor 1944. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, më 1957. Edhe pse nxënës shembullor, nuk u pranua në Shkollën Normale të Prishtinës. Pasi punoi një vit punëtor fizik në ndërmarrjen ndërtimore “Granit”, të Shkupit, në saje të rezultatit në fillore në vitin shkollor 1959-1960 u regjistrua pa provim pranues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës, të cilën e mbaroi me sukses, në qershor të vitit 1963. Më pas u regjistrua në Fakultetin Filozofik, në Degën e Historisë, në Prishtinë, ku u diplomua në vitin 1968. Pas vitit të dytë pa shkëputje nga puna, nga fillimi i vitit shkollor 1965- 1966 punoi si arsimtar i historisë në Shkollën fillore “Emin Duraku”, të Prishtinës Në vitet në vijim punoi arsimtar jo i rregullt edhe në Medresenë “Alaudin”, ku i dha historinë dhe retorikën. Nga tetori i vitit 1967 deri në tetor të vitit 1971 ishte arkivist për hulumtime e publikim të lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror të Kosovës Këso kohe e mbajti mësimin e historisë në Shkollën e Mesme Teknike dhe pak kohë në Shkollën Normale të Prishtinës. Tezën e magjistraturës e mbrojti më 1976. Ishte i burgosur politik i vitit 1981. Për një kohë iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ka botuar shumë vepra sidomos në vitet 90 dhe në vitet pas çlirimit të Kosovës. Historia për klasën VII, Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore Albania e Konicës e shumë vepra të tjera.
A1info