KALENDARI HISTORIK
Më 15 janar të vitit 1862 lindi Isa Boletini. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës, më 20 prill të viti 1881, kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë, Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit, në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën. Isa Boletini dhe me disa anëtarë të familjes dhe të afërm të tij shkon në Cetinë pasi kishte marrë siguri nga ambasadori i Francës. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Më 23 janar të vitit 1916, Isa Boletini, u vra në pritë nga serbët e malazezët, në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.
A1info