KALENDARI HISTORIK
Më 9 janar të vitit 1914, ishte shpallur gjendje shtet-rrethimi në Vlorë pas zbulimit të një komploti për të përmbysur qeverinë e përkohshme dhe për të penguar ardhjen e princ Vidit. Nga hetimet doli se komploti ishte organizuar nga një grup i quajtur Komiteti Shqiptar në Stamboll, në bashkëpunim me një grup turqish të rinj të udhëhequr nga majori turk Beqir Grebeneja, i cili kishte ardhur në Vlorë si përfaqësues zyrtar i Turqisë në Shqipëri. Ky Komitet kishte pajisur me fonde dhe armë rreth 200 turq, shumica me origjinë shqiptare; ata mbërritën në Vlorë me një avullore austriake për të shpallur si Sovran të Shqipërisë, Izet pashën,ish-ministër lufte në perandorinë osmane), edhe ky me prejardhje shqiptare. Por në përpjekje për të zbarkuar në Vlorë, 200 turqit u arrestuan nga xhandarët holandezë me urdhër të qeverisë së përkohshme, në marrëveshje me Komisionin e Kontrollit. Grebeneja dhe shokët e tij u nxorën para një gjykate ushtarake, kryesuar nga gjenerali de Veer, komandant i xhandarmërisë holandeze; Beqir Grebene u dënua me vdekje.
A1info