KALENDARI HISTORIK
Më 7 janar të vitit 1923 në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës, u lind, Vani Trako. Që në moshë të njomë, filloi të këndonte pa reshtur në festa te ndryshme, në koret e shkollës si edhe në kishat e fshatit. Në moshën 10 vjeçare e ftonin për të kënduar në Kisha e Mitropolisë dhe e Shën Gjergjit të qytetit e Korçës. Në vitin 1937 fitoi konkursin për t’u futur në shkollën greke “Jovan Banga” (Korçë), por me pushtimin fashist të 1939-s shkolla u mbyll dhe ai nuk mundi ta vazhdojë. Në vitet e luftës aktivizohet në formacionet partizane revolucionare që luftonin kundër pushtuesve. Për këtë veprimtari arrestohet në prill të vitit 1942 nga Kuestura, e cila e dërgoi në burgun e vjetër. Aktivitetin artistik do ta vazhdonte në formacionet partizane ku, përkrah pushkës, ishte këngëtar i Korit Partizan të Komandës së Vendit. Kjo nuk zgjati shumë, mbasi pas çlirimit të vendit, në vitin 1945, me urdhër të Komandës së Përgjithshme transferohet në Ansamblin e Ushtrisë. Në dhjetor 1947 lirohet nga ushtria, kthehet në Korçë dhe atje aktivizohet me grupin teatral amator deri në vitin 1950, vit në të cilin krijohet teatri profesionist. Në vitin 1950, luan kryerolin e parë në grupin e teatrit me regjisor Sokrat Mio. Nga institucione të ndryshme është nderuar me medalje dhe urdhra, si dhe me titullin “Artist i Merituar”. Së bashku me bashkëshorten e tij, Qefser Kushe-Trako, lindën, rritën dhe edukuan dy fëmijë. Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, më 28 dhjetor të 2009.
A1info