KALENDARI HISTORIK
Më 3 janar të vitit 1920 lindi në Gjakovë, Anton Çetta, shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri në vitin 1968 ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinë. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. Vdiq më 3 nëntor të vitit 1995, në Prishtinë.
A1info