KALENDARI HISTORIK
Më 25 dhjetor të vitit 1907 u lind Kristaq Antoniu, këngëtar, tenor dhe bariton, Artist i Popullit. Ishte me origjinë nga Korça, ndërsa u lind në Rumani. Atje përfundoi Akademinë Mimodramatike të Bukureshtit. Interpretoi rolet e para në disa filma kinematografie, ku dhe u bë shumë i njohur. Si koncertist dhe këngëtar operetash, zhvilloi turne me një trupë nëpër Evropë. U kthye në Shqipëri në vitin 1935, ku dhe nisi një veprimtari të gjallë artistike. U shqua në interpretimin e arieve nga operat klasike dhe të këngëve popullore. I dha një kontribut të madh artit të muzikës gjatë kohës së regjimit socialist. Vdiq më 17 mars të vitit 1979, në Tiranë.
A1info