KALENDARI HISTORIK
Më 6 nëntor 1872 u lind në Shkodër kleriku i njohur katolik shqiptar, Luigj Bumçi. Ishte peshkop i Kishës Katolike dhe diplomat shqiptar. U emërua peshkop i Lezhës më 11 shtator 1911 nga Papa Piu i dhjeti. Transferohet në Kallmet të Lezhës, ku ndërtoi kishën “Zemra e Krishtit”. Në vitin 1919, ai kryeson delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm. Bumçi Mbajti fjalimin e përgatitur nga Gjergj Fishta “Të drejtat e Shqipnisë etnike”. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës ku u zgjodh si njëri nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë të Shqipërisë. Merr pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol, në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919. Në dhjetor të atij viti ndërhyri te Papa Benediktit XV, me kërkesë që Korça e Gjirokastra mos t’i shkëputeshin Shqipërisë siç e kishin planifikuar mes vetes Italia me Greqinë në paktin Tittoni-Venizelos. Deklaroi bujshëm para autoriteteve të huaja, se me muslimanët shqiptarë jena vllazën. Përdori tërë ndikimin e tij për të bërë të mundur që Gurakuqi të zgjidhej në zgjedhjet e prillit 1921. Bashkë me Aqif pashën dhe figura tjera të politikës së kohës organizojnë grushtin e shtetit në javën e parë të dhjetorit 1921 me bindjen se u bë për të shpëtuar kombin, lëvizje që shtrëngon kryeministrin, Pandeli Evangjeli, të japë dorëheqjen. Lirohet nga detyra në Këshillin e Naltë më 22 dhjetor. Dëbohet nga qeveria e kohës, Jeton në mërgim nga 1922 gjer më 1924 – kohë kur i digjet edhe shtëpia. Ndërkohë kthehet në atdhe dhe kujdeset për mbarëvajtjen e ipeshkvisë së tij prej të cilës do jepte dorëheqjen më 1 shtator 1943. Vdiq më 1 mars të vitit 1945.
A1info