KALENDARI HISTORIK
Më 2 nëntor të vitit 1986 vdiq atdhetari, mësuesi dhe kleriku, Daut Boriqi. Ai lindi në Shkodër, më 20 dhjetor 1825. Ka qenë dijetar dhe figurë vepruese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shumicën e jetës së tij qe i përfshirë në sistemin arsimor osman dhe mbahet mend për abetaren e shqipes me shkrim arab, “elifbe” më 1861, edhe për kontributin e tij si kryetar i Degës së Shkodrës të Lidhjes së Prizrenit. Shkollimin fillor Dauti me të vëllanë, Salihin, e morën në mejtepin e Molla Ferhatit. Që në vitin 1839 kishte filluar të mësonte arabishten dhe të merrte mësime teologjie nga myderrizët shqiptarë Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja dhe të tjerë të huaj të Medresesë së Qafës. Ndoqi për një periudhë mësime edhe në gjimnazin Zosimea në Janinë. Gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, Mulla Daut Boriq ishte kryetari i degës vendore të Lidhjes në Shkodër. Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor të vitit 1878 dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, i dërguan telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër. Pas humbjes së Ulqinit, autoritetet osmane nisën të merrnin masa ndaj krerëve të degës së Shkodrës: Hodo beg Sokoli, Daut efendiu, Preng Bibë Doda dhe Jusuf efendi Kalaja u internuan. Më pas e thirrën me punë në Stamboll, ku më 1882-1883 i propozoi Ministrisë së Arsimit të perandorisë që të shtypeshin dhe përhapeshin libra të arsimit fillor në gjuhën shqipe me alfabet arab. Vdiq më 2 nëntor të 1898 dhe u varros në varrezat e xhamisë së Lugçeshmes.
A1info