KALENDARI HISTORIK
Më 11 tetor të vitit 2000, vdiq Aristidh Kola, historian, publicist, dhe jurist. Ishte kryetar i Lidhjes së Arvanitëve. Lindi në Kaskaveli të Thivës ne Greqinë Qendrore, më 8 korrik të vitit 1944, në një zonë e cila banohet kryesisht nga arvanitas. Aristidhi, si edhe mijëra e mijëra bashkëkombas të tij, u edukuan me frymën e dashurisë për traditat e të parëve, që trashëgoi kjo pjesë e popullatës shumëkombëshe e Greqisë së sotme. Studioi për jurisprudencë në Athinë dhe pas mbarimit të universitetit, për shumë kohë iu përkushtua traditave kombëtare të arvanitasve në Greqi. Vepra e tij kryesore, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, bëri një jehonë të gjerë në botën arvanitase; njohu 9 botime brenda dhjetë vjetëve. Kola botoi revistën “Besa”, si dhe revistën tjetër “Arvanon”. Këto revista pasqyronin jetën dhe traditat e botës arvanitase. Bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Amerikës, me intelektualë të Kosovës, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës. Ai u bë i njohur në Greqi sidomos për përkrahjen morale që i dha luftës së UÇK-së duke u shfaqur në disa emisione televizive. Kjo shkaktoi reagimin e disa grupeve proserbe, me të cilat u ndesh në rrugë gjyqësore. Vdiq më 11 tetor të vitit 2000 pas një sëmundjeje të rëndë. Veprat e Aristidh Kolës janë: Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, 1983. Gjuha e Perëndive, 1989. Deklarata e Bashkimit Arvanitas. Fjalori Korrigjues i Fjalëve arvanite. Fjalori Korrigjues i Fjalëve arvanite. Fjalori Krahasues i Gjuhës Shqipe.
A1info