KALENDARI HISTORIK
Më 24 shtator të vitit 1911 në Zarë të Dalmacisë u lind këngëtarja e njohur shqiptare, Marie Kraja. Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Gracit, në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore. Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri më 1938 ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon si mësuese muzike në Institutin, Nëna Mbretëreshë. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik prej vitit 1946. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, e vende të tjera, karriera e saj lidhet ngushtë me muzikën shqiptare. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë. Vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999.
A1info