KALENDARI HISTORIK
Më 13 shtator të vitit 1907 lindi, Dhimiter Pasko, i njohur si Mitrush Kuteli. Ai ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Kuteli shkoi në Bukuresht në vitin 1928 dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Disa nga veprat e Mitrush Kutelit, janë Rrjedhin lumenjtë, Vjeshta e Xheladin Beut, Net Shqipëtare, Pylli i gështenjave, Ago Jakupi, e të tjera rrëfime, poema Kosova e të tjera. Mitrush Kuteli ka qenë edhe përkthyes nga shumë gjuhë të botës.
A1info