KALENDARI HISTORIK
Më 10 gusht të vitit 1882 u lind, Risto Siliqi, atdhetar, poet, luftëtar i lirisë dhe publicist. U lind në Shkodër, i biri i Llazarit që ishte furrtar. Gjatë kësaj periudhe, ai shkoi me misione në Rumani e Bullgari, ku u shqua për fjalimet e tij të zjarrta patriotike. Në këtë kohë nisi të botonte edhe poezitë e para. Por shteti malazez nisi të dyshonte mbi veprimtarinë e tij, kështu që Ristoja për të humbur gjurmët hapi hotelin “Albania”, që në të vërtetë ishte një qendër bashkimi e patriotëve shqiptarë. Aty mblidheshin kohë pas kohe krerët e ndryshëm të asaj kohe si: Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj, që po përpiqeshin për një kryengritje, e cila do të fillonte në vitin 1910. Më vonë ai merr pjesë bashkë me Luigj Gurakuqin me Hilë Mosin në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe bëhet këngëtari i saj. Ishte anëtari i “Komitetit Shqiptar” që krijoi Kryengritjen e armatosur në vitin 1911. Mori pjesë në kuvendin e Gerçës së Kelmendit, dhe në hartimin e memorandumit të famshëm. Shkruan dhe vepra patriotike e i boton ndër gazetat e ndryshme që shtypeshin jashtë atdheut, duke nxitur shqiptarët për liri. Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” është një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen kryengritja e Kosovës e viti 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj. Vdiq më 1 maj të vitit 1936 në Shkodër.
A1info