KALENDARI HISTORIK
Më 3 gusht të vitit 1859 lindi, Filip Shiroka, poet, atdhetar, veprimtar. Shkollimin e kreu në Shkodër. Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes së cilat tregonte për gjendjen e rëndë të shqiptarëve nga Perandoria turke. Shiroka ka bashkëpunuar me disa revista në gjuhën italiane. Më 1880, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, të quajtur, Alisa. Në vitin 1880 ishte në mërgim në Egjipt pastaj në Liban ku punoi inxhinier i hekurudhave. Ka shkruar poezi dhe i ka botuar në revistat: “Albania”, “Besa”, “Toska” etj. Ka shkruar me pseudonimin Gegë Postriba. Përmbledhja e tij letrare me titull: “Zani i zemrës” u botua në Tiranë, në vitin 1933, ku edhe qëndroi për pak kohë dhe nuk u kthye më. Ka vdekur në Bejrut në vitin 1935.
A1info