KALENDARI HISTORIK
Më 08 korrik 2006– Ndërron jetë Pjetër Arbnori, ka qenë i përndjekur politik në kohën e regjimit komunist, shkrimtar, deputet dhe Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai është quajtur “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës së gjatë të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste per 28 vjet. Në vitet 1949-50 u organizua me shokë e bashkëmoshatarë në grupe trevetëshe që shtypnin dhe shpërndanin trakte, grumbullonin dhe transportonin traktet e Komitetit “Shqipëria e Lirë” që hidheshin nga avionët. Më 1962 u arrestua i akuzuar se kish dashur të formonte një parti social-demokrate, gjë për të cilën u dënua me 25 vjet burgim. Pas tetëmbëdhjetë viteve burgim e ridënuan me 10 vite të tjera burgim. Në kushtet më të vështira në burg ai shkroi një pjesë të madhe të veprës së tij letrare. Në kohën që periudha e dënimit të tij po përfundonte, atë e dënuan përsëri me dhjetë vjet burg. Në gusht të vitit 1989 Pjetër Arbnori u lirua nga burgu. Arbnori kaloi 28 vjet në burgun e Burrelit. Ai u arrestua në moshën 26 vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç. Në janar të 1990 ai mori pjesë në Shkodër në demonstratën kundër pushtetit komunist që rrëzoi bustin e Stalinit. Po në të njëjtin vit ai ishte bashkthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte Kryetar i Kuvendit. Pjetër Arbnori vdiq në Napoli, Itali ku kishte shkuar pas një hemorragjie celebrale. Urdhri “Nderi i Kombit”, dekorohet (pas vdekjes) më 28.10.2011 nga Presidenti i Republikës Bamir Topi me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.
A1info