KALENDARI HISTORIK
Më 5 korrik 1987– Ndërron jetë Vexhi Buharaja, ka qenë letrar, orientalist, epigrafisë dhe përkthyes shqiptar nga osmanishtja e persishtja, i persekutuar gjatë regjimit komunist. Falë tij mund të lexohen në gjuhën shqipe materiale si të Rilindjes Kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe veprat klasike të letërsisë perse. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Më 1946 e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, u detyrua të bënte punë të rënda fizike për të mbijetuar. Më pas u pranua në punë si mësues,duke dhënë lëndën e gjuhës ruse të mësuar në burg. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968. Më 1975 në maj u dëbua nga puna në Institutin e Historisë.Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare.
A1info