“KALAJA E BESIMIT” (POEZI MORALIZUESE) – NJË VEPËR UNIKALE EDUKATIVE E SHPIRTËRORE
Zekerija Idrizi, redaktor: një vështrim për veprën e shkrimtarit dhe poetit erudite Bilall Maliqi “Kalaja e besimit”
DIÇKA DIGJET NË MUA
“Në mua diçka digjet/ (Si) një zjarr/ Pastaj fjala më del e hirtë/ Etja me urinë i ndërron rolet/ O Zot, diçka digjet në mua/ Dhe shuhet me lot”
Qysh në fillesë të njohtimit e komunikimit me poetin, shkrimtarin e kritikun e letërsisë nga Presheva, Bilall Maliqin, jemi miqësuar thellë për t’u besatuar dyt në një lidhje të sinqertë e në një bashkëpunim konstant në fushën e letërsisë sa të jemi gjallë në këtë botë. Deri më sot me të kemi këmbyer në mënyrë të ndërsjellë vlerat dhe prurjet tona letrare dhe kemi analizuar në mënyrë të konsiderueshme një numër të madh veprash midis nesh. Mandej, përveç analizave të thella vështrimore e qëmtuese, ne kemi shkruar edhe për jetëshkrimet e njëri tjetrit. Konkretisht unë biografinë dhe të tërë opusin e tij krijues e kam inkuadruar që në vëllimin e parë të librit tim gjashtëvëllimësh në shqip dhe anglisht “Portrete shkrimtarësh” (“Portraits of writers”, përkthyer nga shkrimtarja kuçovare Valentina Muka Korçari, me banim në Kanada) – botuar në Prishtinë më 2024.
Thjesht, proza, poezia dhe kritika letrare e këtij personaliteti tashmë të njohur në botën e letërsisë shqiptare, më janë bërë “miq” bashkërrugëtues në itinerarin tim mendimor, meditativ e estetiko-letrar – madje edhe udhërrëfyes në ca segmentë krucialë të artit e letërsisë. Kjo për arsye se krijimtaria e tij më ka zgjuar ndjenjat më sublime, duke qenë katarzë për optikën time letrare e krijuese; muza e tij kreatoriale zgjon e cyt jo rrallë herë muzën time frymëzuese dhe më rrëmben trurin dhe zemrën njëkohësisht. Ajo nxit te unë vullkan emocionesh dhe erupcion përjetimesh fantastike, meqë narrativa dhe poetika e tij rezatojnë shkëndija drite dhe, ta them metaforikisht, ndezin edhe yjet në qiell.
Shikuar thellë në esencë poezia e Bilallit përkap dendur një fushë konstruksioni introspektiv me mesazheve të fuqishme vetëkontrollimi të edukatës vatanake, ku thellohet në temat e vetë-reflektimit dhe kërkimit të zgjimit e rilindjes së brendshme morale në një botë të sotmen që e ka mbërthyer KAOSI nga çdo pikëpamje. E, ne, pa rregulluar kaosin vetanak nuk mund të rregullojmë dot kaosin e shoqërisë e të botës. Poeti, Bilalli, duke dalë herë-herë jashtë vetvetes, bëhet njëkohësisht vëzhgues, subjekt dhe objekt i ekzistencës së tij. Rrjedhimisht, poetika e tij nuk është një “poezi sipërfaqësore” dhe “e thatë”, por, në thelb, është një ZË AUTENTIK që pasqyron lakuriq një “botë të absurdtë e të joidealtë” që e kanë shkaktuar kaoskrijuesit.
Tipari i këngërimit dhe vargnimit poetik në sensibilitetin e figurës së këtij autori erudit është sa në shkallë “himni” po kaq edhe këngë e një DASHURIE primordiale, është simfoni, ndjeshmëri, fluiditet ndjesish, lëvizshmëri jetësore, vetë poezia është një stinë jetësore më vete, këngërim i denjë dashurie, dedikim dhe përkushtim për Zotin, për dashurinë ideale, për familjen, për tokën – vendlindjen e atdheun, për kultura, popuj e qytetërime, i përcjelljes së ndjenjës njerëzore, artistike, shpirtërore përmes poezisë…Poezia e tij madje është një gjendje e veshur me nota shpirtërore dhe njerëzore me një art të gdhendur estetikisht…
Autori, shikuar në metafora, herë-herë vizaton ndjenja të ndritura mbi diell… Ai e ka aftësinë të krijojë artistikisht një “diell”, të cilin do ta mbajë me vete gjithmonë dhe të shpërndajë rrezet e tij kudo ku qenia e tij kundron, koncepton dhe emeton prezencë në të gjitha kohët, si në të djeshmen, ashtu edhe në të tashmen dhe të ardhmen…
Poetika e tij në përgjithësi ka vlerat më fine etiko-njerëzore, sepse ju flet edukativisht ndjenjave breshnorake, shllimeve të larta dhe shpirtërave djalosharë e të të gjitha grupmoshave për vetëkëndellje e ndërgjegjësim. Ajo ngjall vlerat shpirtërore kundra jetës mëkatnore, hovin krijues kundër babëzisë, egocentrizmit e lakmimit pas botës lëndore – pas epshit. Poetika e tij i shpallë botërisht vlerat më fisnike e më të larta të shpirtit, duke përbuzur sendet meskine e të ulta lëndore dhe duke fuqizuar virtytet e shumënumërta të moralit e edukatës njerëzore. Poezia e tij përpiqet maksimalisht për ringjalljen e zemrës dhe shpirtit shqiptar, për sforcimin e vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare, të ndjenjës atdhetare dhe konsideratës së thellë ndaj trashëgimisë e kulturës së begatë shpirtërore e religjioze.
Ai sa i këndon pafajësisë, dëlirësisë dhe çiltërsisë morale po kaq i këndon edhe fajësisë, lajthitjes e përdhosjes morale, si dhe botës mëkatnore në përgjithësi. Rrjedhimisht ai i rikrijon zemrat dhe rinovon moralet e sjelljet tona, zhdukë vesveset djallëzore dhe mbytë gënjeshtrat munduese, epshet vdekjendjellëse dhe mëkatet verbuese.
Madje- madje, poeti Bilall në këtë rrugë është i pakompromis, sepse përmes poezisë ai ju shpallë „luftë“ zemërkëqinjve, shfrytëzuesve e matrapazëve mendjengushtë e shpirtligë.
“E të këqiat/ Dhe gjynahet që m’i bënë/ Engjëlli
le t’i shkruaj/ Mandej mëkatarët t’i lajnë gabimet/ Me djersë ferri e me lotë/ Në këtë jetë e në tjetrën botë”
E ka bërë dhe më parë, por sidomos tani në mënyrë të veçantë ai këtë mision, sa sublim aq edhe të shenjtë, e ka realizuar tani me veprën ose vëllimin e tij poetik me titull “Kalaja e besimit” (Poezi moralizuese).
Këtë vepër ai e ka ndarë në dy kapituj: “Lutje për mirësi” dhe “Matematikë shpirti”, në të cilët ka prezantuar gjithsej 60 poezi.
Marrë në tërësi, përmes vargjeve poetike të këtij vëllimi Bilalli ka për synim t’i dhurojë botës së sotme “të akullt” nuanca dritëmagjie, shprese e shpirtëroriteti. E, ky “shtrat shpirtëror” i këtij libri përhumb e metastazon shpirtërat e lexuesve qiejve mbi altar…Po, pikërisht atje, ozosferikave të tyre, ku shpirtërat prekin dhe thithin aromën e Ezelit (Edenit) magjik parajsor, duke gjetur atë paqen sublime me veten dhe Zotin. E, ai është bërë ajo “ura stolisëse” që transferon shpirtërat tanë në atë botë magjike.
Ç’idilike kjo botë, im Zot, që kaq magjikshëm shkund e spastron shpirtërat tanë të ndotur nga “ferri” i botës së dreqtë tokësore!
Përmes urës së imagjinuar idilikisht, si “SHTRAT I SHPIRTIT”, muza fascinante mistike e autorit na shpie në stratosferat më të larta të një bote të idealtë, të cilën e synojnë shpirtërat fisnikë. E, këta shpirtëra, të tmerruar e të sfilitur moralisht, madje dhe jo rrallë herë të mbetur jetimë në këtë botë reale të mbushur me demonë e satanë, mëtojnë të ngjiten sferave të botës ireale, në eskatologji, apo “në botën e të shenjtëve” (në xhennet), siç e cilëson mistikisht këtë poeti në shumicën e poezive të këtij vëllimi.
Për më tepër, përmes vargjeve hyjnorë, në një mënyrë “profetike” e të hyjnishme, autori mëton të përçojë shkëndija drite e shpirti edhe te zemrat e shpirtërat e ngrirë nga satanizmi, nga djallëzia, që aq rëndë i ka pushtuar sot. Ai në shumë poezi i thërret zëshëm kësaj bote të djalltë të vë gishtin në kokë, të zgjojë telat e ndërgjegjes së fjetur e të rimëkëmbet moralisht e shpirtërisht, sepse “çelësat e lumturisë”, “portat e dashurisë” dhe “florinjtë e jetës ideale” gjenden thellë në zemrat e shpritërat tanë”, konstaton bindshëm ai në një perlë të tijën poetike.
Në ca poezi të tjera të tij, madje, kam nuhatur hermeneutikisht atë tentativën e autorit të arratiset imagjinativisht edhe te “oazat” e “ishujt” imagjinarë të tokës, por që ekstazën më të thellë spirituale e gjen në sferat qiellore dhe në “zonat” e përtejbotës (në berzah dhe në ahiret).
Shikuar në mënyrë integrale, Bilall Maliqi me këtë vepër perlë shpalos ndjenjat më sublime të muzës e shpirtit të tij ëngjëllor në vargje, duke u arratisur nga realiteti i hidhur i botës së realtë, por të dhimbshme e herë-herë të skëterrshme, në hemisferat qiellore të botës së idealtë, sepse ai në këtë botë të joidealtë ndjehet sikur e kanos “tëhuajësimi” nga vlerat vetanake shpirtërore!
Dorën në zemër, edhe unë jam “arratisur” nga kjo botë joideale drejt qiellit në çastet që lexoja e shijoja këndshëm këta margaritarë të tij letrar.
Vargjet e këtij poeti theksojnë nevojën urgjente të ligjëruesit njeri për t’u përballur me trazirat e kaoset e brendshme dhe kërkon me ngulm të ndahet nga “djalli” që prish e përdhos jetën dhe botën. Në këtë katrahurë (galimatias) Bilalli synon me shpirt të përkapë e mishërojë “mirësinë dhe perëndishmërinë” si mjete e rrugë shpëtimi nga absurdi e theqafja apokaliptike (nga ferr-xhehennemi).
Pra poezitë e tij eksplorojnë tema me fokusin në introspeksionin dhe mundësinë e shëlbimit të njeriut nga mëkatet. Ai, në ligjërim vargnor, përballet stoikisht me këtë botë dhe kërkon kuptimin e filozofisë së saj dhe rinovimin e rilindjen morale në mes të absurdit, shkatërrimit e kaoseve.
Kam lexuar dhe libra të tjerë me poezi nga ky autor brilant, por veçantë pasi e kam lexuar e shijuar edhe këtë vepër më të re të tij më duhet të shfaqi edhe mbresën time gjenerale: Bilall Maliqi është një poet ‘sui generis’, i veçantë në stilin e diskursin e tij poetik.
Kompozicioni artistik, ndërsa, në këtë vëllim është i realizuar dhe i konceptuar duke qëndruar bukur dhe në rendin e tyre të gjithë faktorët stilistiko-artistikë që e kanë ngritur këtë kështjellë të tijën poetike.
Pas një leximi të kujdesshëm të veprës, shihet qartë që autori teksa ka vargëzuar ka dëgjuar zëra hyjnorë të ëmbël dhe sakaq ka shpërthyer në emocion e energji. Këta zëra mandej i janë shndërruar në tinguj simfonikë, në dritë qirinjsh të ndezur që ndriçojnë rrezeartë mendjet dhe shpirtërat e lexuesve – e admiruesve të artit poetik, veçantë të atyre që kanë një shpirt thellësisht mistiko-metafizik e religjioz.
Për mendim timin, shikuar nga prizmi i logjikës filozofike, poetikën e tij e karakterizon një gjuhë ekspresioniste larg gjuhës pesimiste e absurde ekzistencialiste. Një e këtillë gjuhë e diskurs ligjërimor në vargje mjeshtërisht dekodon dhe detabuizon shumë simbole e mistere të ekzistencës dhe të vetë njeriut, në sfond, si dhe shpie drejt universalizmit të vlerave. Një të këtillë gjuhë e stil e përdorin dendur poetët idealistë e misionarë.
I tillë është edhe Bilalli, një misionar e idealist, i cili zotëron një stil të veçantë estetiko-letrar dhe, në përmbajtje, një filozofi që përshkohet nga një hermeneutikë kuptimësish të thella ezoterike, madje jo rrallë herë edhe mistike. Muza e tij din të depërtojë në guvat më të errta e më të mistershme të ekzistencës dhe këtë e bën në mënyrë unike, duke ofruar edhe rrugëzgjidhjet drejt lumturimit dhe katarzës shpirtërore.
Veçanërisht te ky vëllim, në disa poezi kam parë, madje shumë qartë, edhe një revoltë sartriane e kamyane të autorit, që sfidon çdo kod e normë të një pozitivizmi të akullt e të pashpirt, madje kam parë edhe atë unin filozofik haideggerian e niçean që herë-herë di të rebelohet kundër ligjeve të kodifikuar e të kanonizuar nga njerëz hipokritë që vishen padrejtësisht e pa meritë me petkat e shënjta të Perëndisë në tokë. Ai, këtë botë të akullt,me një gjuhë të theksuar racionaliteti e demistifikon (demitologjizon).
Ky poet nuk është indiferent ndaj realitetit dhe botës që e rrethon, ndaj të mirës dhe të keqes në shoqëri. Përkundrazi, ai e përkrah dhe e adhuron të mirën, ndërsa e lufton dhe e urren atë që është e shëmtuar dhe jonjerëzore.
Pra, ai nuk hesht kur përballet me të ligat e shëmtitë e as nuk vetëgetoizohet në vetminë e tij për t’u shmangur nga sfidat e problemet që na sjell jeta, përditshmëria. Jo, ai nuk mbyllet në “kulla të fildishta” për të shikuar duarkryq tabllot jetësore e për t’u kujdesur në mënyrë egocentrike vetëm për veten. As nuk struket në “rrethe e qarqe kabinetike”. Përkundrazi, vetmia e tij ka karakter të zjarrit prometheik e mevlanarumian, botë kjo ku ai akumulon energji e frymëzime tejqiellore, për t’i shpalosur mandej ato në vargje perla, në mënyrë që të përçojë shkëndija drite, shprese e gjallërie në radhë të parë në familjen e farefisin e vet, e mandej, në radhë të dytë, edhe te shoqëria dhe i mbarë njerëzimi në botë …
SHUMË POETË I VARGËZUAN DASHURISË NDAJ ZOTIT DHE NJERIUT
Poezitë kushtuar Zotit dhe dashurisë hyjnore përbëjnë një komponent të rëndësishëm të zhvillimit dhe të qenësisë së poezisë shqipe në rrjedhë të qindvjetshave në historinë e letërsisë shqiptare. Mirëpo, përkundër kësaj të dhëne, siç konstaton studiuesi e shkrimtari Anton Nikë Berisha, as sot e kësaj dite s’kemi një përmbledhje të zgjedhur me poezi të këtilla e as një studim të mirëfilltë kushtuar atyre. Në këtë kontekst kemi disa cilësi dhe tipare të poezisë së përshpirtshme shqipe, të një periudhe kohore prej katër shekujve – 1618–2024, që janë fryt i studimit të qindra teksteve me këtë përmbajtje, e sidomos i qasjes dhe i analizimit të 223 krijesave të zgjedhura nga krijimtaria e mbi 70 poetëve tanë, veçanërisht krijesat perla poetike të viganëve si: Pjetër Budi, Asdreni, Çajupi, Naimi, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Noli, Anton Harapi, Lasgush Poradeci e shumë të tjerë.
Poetët shqiptarë, qoftë të traditës gojore, qoftë të traditës së shkruar, pos dukurive të shumta të jetës së përditshme, të natyrës dhe të botës së brendshme, bënë objekt trajtimi artistik edhe Zotin dhe Dashurinë e Mbretërinë hyjnore. Vepruan në këtë mënyrë për arsye se Zoti dhe besimi në hirin e Tij qe dhe mbeti pjesë e pandashme e gjallimit të poetëve tanë dhe e njerëzve tanë në përgjithësi, e veprimit dhe e mendimit të tyre. Ky besim shprehet nga parimi i qenësishëm: afrimi dhe njësimi me Zotin shenjëzon në qenësi dashurinë, mirësinë, mirëkuptimin dhe pasurinë shpirtërore. Kjo përligjet dhe nga mendimi “Ji i përsosur siç është i përsosur Zoti yt”, parim ku mbështetën dhe poetët shqiptarë të këtyre poezive dhe mbi bazën e të cilit ato u përftuan.
Zoti, si kryeqenie absolute e Gjithëkrijues i botëve, në koncepcionin dhe perceptimin ideobotëvështrimor të Bilall Maliqit është Kryevlera , që emanon dhe prodhon gjitha vlerat e tjera plotësuese. Pra, Zoti është atje lart, mbi majën e “piramidës”, te Froni (Arshi) i Tij mbi shtatë kat qiej (tej “Sidretul-Muntehasë” – vijës kufitare që ndanë këtë botë relative me atë të amshimit: dynjanë dhe ahiretin).
Trajtimi artistik i botës dhe i fatit të njeriut përballë mëshirësisë dhe dashurisë së Zotit, përpjekja për ngritjen e mirëqenies dhe të fisnikërimit sa më të plotë, gjakimi për pasurimin e pareshtur shpirtëror e artistik, përfshihet në gjitha poezitë e këtij vëllimi libror. Bilalli në vargnime sublime bën shpalosjen dhe shqiptimin e ndjesive dhe mbresave më të qenësishme dhe më të fshehta të njeriut, dhe, në anë tjetër, shpëfaqë dosmosdonë që ai ta kuptojë më mirë vetveten, të përsoset vijimisht, po njëherit të aftësohet për ta kuptuar, për ta ndjerë, për ta nderuar e për ta çmuar edhe tjetrin – mbarë njerëzimin. Së këndejmi, duke bërë objekt trajtimi artistik Zotin dhe vlerat përcjellëse: dritësinë, shpresën, fuqinë, moralin dhe ngushëllimin që jep besimi në Zot për përballimin e vështirësive të jetës së përditshme, Bilalli përdëshmon, veç tjerash, aftësinë, shkathtësinë dhe guximin e tij inetelektual të merret shpirtërisht dhe artistikisht me çështje sa thelbësore aq edhe të ndërliqshme të botës e të njeriut tonë.
Në këto krijime të përshpirtshme ai shqipton botëvështrimet e tij mbi qenësinë e së vërtetës, e drejtësisë dhe të dashurisë; ndriçon rëndësinë e mbajtjes gjallë të parimit se kush i shërben mirësisë dhe të vërtetës, në qenësi, i shërben dhe e do Perëndinë. Pra, ai që e dashuron Zotin, në të vërtetë, e dashuron dhe e çmon, së pari veten, njeriun e vet, atdheun dhe kombin që i përket e pastaj edhe të tjerët, njeriun kudo dhe kushdo qoftë ai.
Pikërisht ky poet dëshmon faktin që besimi në Zotin e Madh dhe dashuria për Të dhe nevoja që kjo dashuri të zbatohet e të mbretërojë midis njerëzve, shpreh një nga qenësitë kryesore të mesazheve të poezive të tij te vepra “Kalaja e besimit”.
Në to, pra, autori prezanton atë MAKSIMËN primordiale të dashurisë hyjnore dhe njerëzore, pikërisht ashtu siç me të drejtë theksonte sociologu e shkrimtari i neoshqiptarizmit Branko Merxhani:
“Dhe para se të mësojmë të mendohemi, duhet të mësojmë të dashurohemi. Duhet të mësojmë të besojmë.”
Nevoja e besimit në Zotin, në të vërtetë, nënkupton kërkesën e ndërgjegjësimit të individit për veprimet që bën ai në jetën e përditshme.
Në qenësinë e mesazheve poetike të këtij vëllimi, poeti Bilall Maliqi shpreh në mënyrë të qartë dhe të thellë bashkimin dhe njësimin shpirtëror dhe mendor me Zotin, me dashurinë, me mirësinë, me mirëqenien, me përvujtninë – në thelb e dëshmon atë që e ka thënë i madhi Patër Anton Harapi se “…kurgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa ndryshim.”
Së këndejmi, nëpërmjet trajtimit të së vërtetës e të dashurisë së Zotit, nëpërmjet theksimit të bukurisë së të shënjtëve, profetëve dhe ëngjëjve, në të vërtetë Bilalli e shpreh qartazi qenësinë dhe filozofinë e jetës të besimit dhe dashurisë ideale, të cilat vlera gjakohen dhe njëherit përligjen në artin e fjalës së tij të shkruar: e madhërishmja dhe e bukura shpirtërore – metafizike. Përshpirtshmëria në këto poezi shprehet si qenësi gjallimi, si gjakim për vetëpasurim dhe vetënjohje, si përtrirje – katarzë (Teube – pendesë), po edhe si mundësi njohjeje thellësore e fshehtësisë (misterit) shpirtërore, të botës dhe të natyrës; ai shenjëzon frymëmarrjen shpirtërore të njeriut, thënë poetikisht, në shtegtimin e shkurtër të jetës tokësore. Njëherit përshpirtshmëria perceptohet e shqiptohet si shpërndërrim i jetës së përditshme (si vrazhdësi e ashpërsi) me ëndrrën e tij, me atë që gjakohet e përfytyrohet.
Nevojën e përshpirtshmërisë – të besimit, të afrimit dhe të njësimit me Zotin, me ngritjen dhe pasurimin e botës shpirtërore, ai e ndërlidhë ngushtë me mësimet thelbësore fetare, me qetësinë dhe përjetësinë e shpirtit, madje, në anën tjetër, e shenjëzon qenësinë e shëlbimit dhe të mëshirës së Perëndisë në jetën e përditshme, në jetën e përkohshme të njeriut vdekatar.
Qenësia e mesazheve poetike të këtyre krijesave letrare niset kryesisht nga gjallimi konkret, nga vetvetja (individi), për të marrë pastaj përmasa kombëtare dhe gjithënjerëzore. Pra, afrimi dhe njësimi me Zotin, me dritën dhe ngrohtësinë e tij, me të vërtetën hyjnore dhe me shëlbimin hyjnor, fillon nga vetvetja dhe nga mjedisi përkatës shoqëror e kulturor ku jetohet e veprohet. Kjo gjë mundëson, para së gjithash, krijimin në të njëjtën kohë të ndërgjegjes individuale dhe të ndërgjegjes kolektive, si bosht i vetëqenies shoqërore dhe shpirtërore. Pikërisht në gjallimin e përditshëm provohet se feja e thellon njeriun në fatin e tij, në rëndësinë e mirësisë e të mirëqenies, e bën të kuptojë mundësinë e kufizuar të veprimit, po edhe në të keqen që ai ka brenda vetes dhe luftën e pareshtur që duhet të bëjë për të ngadhnjyer mbi atë të keqe, gjetjen e fuqisë shpirtërore për të kërkuar falje nga Zoti e për t’u penduar për fajin e bërë. Së këndejmi, thuhet me të drejtë nga mednimtarët e urtë: “Jeta e njeriut është luftë në shërbim të Zotit”.
Thellë në esencë të diskursit ligjërimor poetik, te vepra e tij, Bilalli sheh në horizont një pikë dritë, ku vijnë në shprehje tiparet imanente të perëndishmërisë, të engjëllores e humanes te njeriu “homo spiritualis” si antipod i njeriut “homo animalis” (njeriut demon, përbindësh e vrastar vlerash).
Rrugëdaljen nga apokalipsi e kaosi, ky autor e sheh në ndikimet pozitive të dishepujve e korifenjëve të artit, letërsisë, filozofisë, humanizmit e krerëve të ndërgjegjës mistiko-religjioze. Thellë në esencë, në shpirt ai është një besimtar i devotshëm në Zot. Kjo veri përdëshmohet në çdo varg e poezi të tij.
Mision sa sublim aq edhe i shenjtë i çdo krijuesi mendjendritur është që të kontribuojë maksimalisht në art, letërsi, kulturë dhe qytetërim. E, këtë mision po e kryen më së miri edhe vetë poeti erudit Bilall Maliqi.
Lehtë mund të arrihet në konkluzionin se te aktiviteti letrar i tij nuk gjen thjesht vetëm idenë për t’u marrë me letërsi. Ai i ka vënë vetes qëllim, nëpërmjet efektit çudibërës të artit, letërsisë dhe kulturës, të shoqëruara ato me mijëra detaje thelbësore të individëve më gjenialë të botës globale dhe të asaj shqiptare, të kontribuojë në mendimin dhe kulturën shqiptare së bashku me pjesën më dinamike intelektuale, për vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare, sot në nevojë më shumë se kurrë.
Bëhet fjalë, pra, për një mision të vërtetë historik…
E, për ta vazhduar rrugëtimin e tij sublim drejt realizimit sa më në plotni të këtij MISIONI dritëpërçues, autori Bilalli, thellë në botën e vet intime dhe veçantë në muzën e vet krijuese e ka një dëshirë dhe njëkohësisht një lutje shpirtërore ndaj Krijuesit të vet – Zotit. Ai , në thelb, e dëshiron jetëgjatësinë e të mos përshpejtohet vdekja meqë synon të shpalosë gjithë “laboratorin” dhe “gurrën” e tij të thellë frymëzuese e mendimore për të përbotësuar dhe ca më shumë vepra perla estetiko-letrare.
Dhe, për më tepër, unë në këtë lutje kaq sublime i përbashkohem mikut tim në ato, t’i quaj, tonat “monologje dialogues” të imagjinuar, plot përshpirtësi e sublimitet ideor.
Prandaj dhe, për fund, mund të konstatoj lirisht që kjo vepër perlë është unikale, në një përmasti shenjtërie inxhilore (bibliko-ungjillore) dhe kur’anore….
E përgëzoj përzemërsisht mikun tim të idealit, Bilall Maliqin, për këtë vepër unikale që shpirtërat dhe zemrat përndritë, duke i mbushur me Nur e Dritë qiellore, hyjnore!
Le ta lexojmë dhe shijojmë tani thellë dhe këtë LUTJE perlë të këtij libri:
NA NDIHMO ZOT IM
Zot im, shtrij dorën kah e jona etni
Bekoje me tënden uratë
Të shtrenjtë e të shenjtë
Mos i lër satanët
Të lodrojnë brenda tonës brendi
E të na kapë nëma mëkatare
Lutem me rruzare në dorë
(Tri) nga tridhjetë e tri herë
T’na ruash nga të paudhët e zinj
Mbylljav me perde të zeza
Shikimin si t’korbit
Që ngjallin frikë e trishtim
Na ndihmo Zot im- na ndihmo
Edhe në tetën ditë
Këtë terr të zi na shndërro në dritë