Ish-këshilltari i PVD-së akuzon Këshillin Nacional Shqiptar për mungesë transparence: “Do të japin llogari cent për cent!” (Dokument)
Ish-këshilltari i Kuvendit Komunal të Preshevës nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rinor Krasniqi, ka ngritur publikisht shqetësime serioze lidhur me mungesën e transparencës financiare nga ana e Këshillit Nacional Shqiptar (KNSh), duke kërkuar llogari për mënyrën se si janë shpenzuar mjetet publike.
Në një kërkesë zyrtare, Krasniqi ka kërkuar informacione të detajuara për shpenzimet e Këshillit, si dhe të dhëna rreth organizatave përfituese të fondeve të dedikuara nga Republika e Kosovës për shqiptarët në Luginë.
Sipas Krasniqit, përgjigjja e kryetarit të KNSh-së, z. Enkel Rexhepi, ka qenë amatoreske dhe përtej çdo pritshmërie ligjore. Në vend që të japë llogari për shpenzimet, kryetari ka tentuar ta devijojë çështjen duke e drejtuar Krasniqin që t’i kërkojë këto informacione në Beograd — një veprim që ish-këshilltari e cilësoi si absurd dhe qesharak.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi paralajmëroi se nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje:
“Edhe pse tash edhe më shumë shtohen dyshimet për keqpërdorime të parasë publike dhe atyre të dedikuara për KNSh, ju garantoj që pas kësaj përgjigjeje amatoreske e qesharake të Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi, cent për cent do t’i nxjerr përgjigjet e duhura.”
Mosllogaridhënia dhe mungesa e plotë e transparencës financiare nga KNSh lënë vend për dyshime të forta mbi keqpërdorimin dhe zhvatjen e parasë publike.
A do të guxojë Këshilli Nacional Shqiptar të bëjë publike të gjitha shpenzimet e tij? A do të zbardhen fondet që janë derdhur për organizatat përfituese?
Kjo çështje tashmë ka ngritur pluhur në opinionin publik dhe mbetet për t’u parë nëse KNSh do të japë sqarimet e kërkuara, apo do të vazhdojë të heshtë përballë akuzave.
A1 Info do të vazhdojë ta ndjekë këtë temë nga afër.
