Intervistën me Kryetarin e Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti.
Të nderuar lexues, mirë se vini në këtë intervistë ekskluzive për A1 Info. Sot kemi kënaqësinë t’iu paraqesim intervistën me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, zotin Arbër Pajaziti i cili do të ndajë mendimet dhe shqetësimet e tij mbi pozitën e shqiptarëve në këtë komunë, sfidat me të cilat përballemi si pakicë kombëtare shqiptare dhe ndikimin e politikës së brendshme serbe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Gjatë kësaj bisede, kemi trajtuar çështje të ndjeshme, si mungesa e përfaqësimit në institucionet shtetërore, diskriminimi ekonomik dhe social, problemet me mosnjohjen e diplomave nga Kosova, si dhe ndikimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në rajonin e Luginës së Preshevës.
-A1 info: Si e shihni, si pakicë shqiptare, zhvillimet në politikën e brendshme serbe?
Arbër Pajaziti: Situata është e rënduar tej mase si pasojë e akumulimit të pakënaqësisë në popull për shkak se institucionet nuk po e bëjnë si duhet punën e tyre, si, gjyqësori, policia por edhe për shkak të korrupsionit në rritje.
Poashtu edhe inflacioni është gjithnjë e në ngritje ndërsa jeta e qytearit të thjeshtë po vështirësohet.
Si rrjedhojë kemi protesta të përditshme të cilave u prijnë studentët.
Megjithatë, ka një enigmë se kush qëndron prapa tyre. Derisa kjo lëvizje nuk shndërrohet në politike, situata do të mbetet e ndërlikuar, madje me mundësi të eskalimit që mund të çoj në ndonjë përleshje qytetare.
-A1 info: Si ndikon politika e brendshme serbe në pozitën e pakicës shqiptare?
Arbër Pajaziti: Për ne të gjitha qeveritë ishit të njejta, që nga ajo e Millosheviqit e tutje dhe se kemi vërejtur shumë pak ndryshime. I vetmi dallim është se në kohën e tij shqiptarët përsekutoheshin në forma të ndryshme kurse me qeveritë tjera ne po diskriminohemi në aspektin politik, ekonomik, social, etj.
A1 info: -A ndiheni të përfaqësuar nga institucionet shtetërore në Serbi?
Arbër Pajaziti:Shumë pak, për të mos thënë fare. Dhe mungesa e përfaqësimit ka vështirësuar pozitën tonë. Ne nuk jemi të përfaqësuar si duhet në polici, gjyqësor,shëndetësi, inspeksione dhe në organet tjera shtetërore, kurse rajoni ynë është i lënë paa dore në aspektin ekonomik.
Kjo ka bërë që një pjesë e qytetarëve tanë, sidomos të rinjve të braktisin vendlindjen në drejtim të Evropës për një jetë më të mirë.
-A1 info: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet komuniteti shqiptar për shkak të politikës së brendshme serbe?
Arbër Pajaziti:Përveç mungesës së përfaqësimit dhe integrimit është edhe mosnjohja e diplomave nga Kosova, të cilat të rinjët tanë i përjashton nga jeta shoqërore, pastaj mosnormalizimi i raporteve Kosovë-Serbi na atakon direkt. Centralizimi i skajshëm i pushtetit na largon nga vendimmarrja, etj.
A1 info: Si e vlerësoni angazhimin e qeverisë serbe për integrimin e pakicave kombëtare, përfshirë atë shqiptare?
Arbër Pajaziti: Problem paraqet mosrespektimi i ligjeve dhe vet kushtetutës serbe.
Edhepse me këto akte juridike këto të drejt janë të garantuara, ato në praktikë zbatohen shumë pak.
Situatën e vështirëson edhe mosinteresimi i duhur i Beogradit zyrtar për tu bër pjesë e Bashkimit Evropian.
Derisa kemi një stagnim në drejtim të integrimit në BE, edhe pozita e pakicave vëahtirë se do të ndryshojë.
Z. Kryetar, ju falënderojmë për kohën dhe gatishmërinë tuaj për të ndarë me ne dhe shikuesit tanë mendimet dhe shqetësimet rreth pozitës së shqiptarëve në Komunën e Bujanocit. Këto çështje janë jetike për të kuptuar më mirë realitetin në të cilin jeton komuniteti dhe për të adresuar sfidat që kërkojnë zgjidhje.
A1 Info mbetet e përkushtuar për të pasqyruar zërin e qytetarëve dhe për të hapur debate që sjellin ndryshim. Faleminderit edhe një herë!