Idris Sulejmani ndërmjetëson bashkëpunimin mes Preshevës dhe Zhupanisë së Megjimurjes në Kroaci
Me angazhimin e drejtpërdrejtë të bashkatdhetarit Idris Sulejmani, është realizuar një vizitë zyrtare nga Kryetarja e Kuvendit Komunal të Preshevës, znj. Ardita Sinani, në Zhupaninë e Megjimurjes, Kroaci.

Delegacioni u prit nga Zhupani Matija Posavec dhe bashkëpunëtorët e tij, në një atmosferë miqësore dhe me përkushtim të madh për bashkëpunim të mëtejshëm. Gjatë takimeve u diskutua për mundësitë e zhvillimit ekonomik për Preshevën, bashkëpunimin në projekte ndërkombëtare si IPA dhe Erasmus+, ofrimin e bursave për studentët nga Lugina, si dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administratës lokale dhe turizmit.

Delegacioni vizitoi disa prej institucioneve më të rëndësishme të zhvillimit dhe inovacionit në rajon, përfshirë Agjencionin REDEA, Qendrën e Inovacionit TICM, Qendrën Shkencore “Metalska Jezgra” dhe biznese të suksesshme lokale, përfshirë një biznes shqiptar nga Gostivari.
Znj. Sinani vlerësoi lart përgatitjen profesionale të agjendës dhe mikpritjen e ngrohtë, duke falënderuar në veçanti Idris Sulejmanin për mundësimin e kësaj lidhjeje të rëndësishme për Preshevën dhe gjithë Luginën e Preshevës.