I DËNUAR PËR KRIME LUFTE SHËRBEU NË PRESHEVË – JOLIQ ÇASLAV
JOLIQ ÇASLAV ME NJË E TË KALUAR TË ERRËT NË KOSOVË
Prishtinë – Një emër tashmë i lidhur me krime të rënda lufte, Joliq Çaslav, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 5 vite e 6 muaj burgim për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, periudha 1998–1999. Por një fakt që shton edhe më shumë shqetësimin e opinionit publik është se Çaslav Joliq ka shërbyer për vite me radhë si polic në Preshevë, pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.
Ndërkohë, A1 Info mëson se pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, Joli Çaslav u stacionua në Preshevë ku ka shërbyer për disa vite në Stacionin Policor në Preshevë dhe në njësitë e ndara në Raincë dhe Miratoc dhe më pastaj u transferua në Serbin qëndrore. Ky fakt nënvizon një realitet shqetësues: një person i akuzuar dhe tani i dënuar për krime lufte ka ushtruar funksione zyrtare në një zonë me shumicë shqiptare pa asnjë pengesë institucionale.
Për çfar u denua Joliq Çaslav: Pjesëmarrës në tortura, rrahje dhe kërcënime
Aktgjykimi i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni konfirmon se Joliq, në bashkëpunim me të tjerë pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe, ka torturuar civilë shqiptarë në Istog, përfshirë dhunë fizike brutale ndaj Zef Malsisë, Naim Feratit, dhe Nexhmedin Currit. Në disa raste, veprimet u zhvilluan në prani të gazetarëve ndërkombëtarë, duke i dhënë ngjarjeve një dimension të rëndë ndërkombëtar.
Sipas aktakuzës, viktimat u rrahën në mënyrë çnjerëzore, u kërcënuan me ekzekutim dhe u trajtuan me dhunë të skajshme, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike shqiptare apo për kontaktet e tyre me ndërkombëtarët. Një nga deklaratat e dhëna në aktgjykim tregon se Joliqi i kishte thënë njërit prej viktimave:

“Nuk je në Kosovë por në Serbi. Këtu nuk flet Rugova, por Millosheviqi”.
Si përfundoi Joliqi në Preshevë?
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe, një numër i madh i policëve me të kaluar të errët u ripërtërinë në pozita të ndryshme në Serbi, përfshirë edhe në Preshevë. Joli Çaslav shërbeu për vite në një zonë me shumicë shqiptare, si në Luginës së Preshevës – një realitet që për shumë qytetarë të kësj treve sot ngjall zemërim dhe ndjenjë josiguri institucionale.
Fakti që një person i akuzuar dhe tani i dënuar për krime lufte ka pasur kontakt të përditshëm me popullsinë civile në Preshevë, pa asnjë kontroll apo përgjegjësi institucionale, ngre pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e sigurisë dhe drejtësisë në Serbi.
Joli Çaslav mbetet në paraburgim deri në lartësinë e dënimit të tij, përfshirë kohën e kaluar në paraburgim. Gjykata ka udhëzuar të dëmtuarit të ndjekin rrugën juridiko-civile për kompensim të dëmeve, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese.
Kjo çështje është një rast flagrant që tregon dështimin institucional për t’i ndaluar autorët e krimeve të luftës të marrin pozita zyrtare dhe që kërkon hetime të mëtejshme në lidhje me praninë e zyrtarëve me të kaluar kriminale në strukturat shtetërore të Serbisë – veçanërisht në zonat shqiptare si Presheva.
A1 info