Hevzi Ramadani -Zhunicë – Vizitë e fshehtë në vendin e ndërtimit të transferstacionit të mbeturinave, banorët mbesin të painformuar
Zhunicë, 21 maj 2025 – Sot, përfaqësues të institucioneve kanë vizituar vendin ku po tentohet ndërtimi i një transferstacioni për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Zhunicë. Vizita është zhvilluar pa asnjë paralajmërim publik dhe pa praninë e mediave, ndërsa nuk është publikuar asnjë fotografi apo informacion zyrtar deri në këtë moment.
Sipas burimeve lokale, as kryesia e Bashkësisë Lokale të Zhunicës nuk është informuar për këtë vizitë. Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e transparencës dhe përjashtimin e tyre nga proceset vendimmarrëse që prekin drejtpërdrejt komunitetin.
“Përsëri po veprohet fshehurazi, pa asnjë konsultim me banorët e fshatit dhe pa marrë mundimin që të njoftohet së paku kryesia e Bashkësisë Lokale,” deklaroi një qytetar që dëshiron të mbetet anonim.
Çështja e ndërtimit të transferstacionit në Zhunicë ka ngjallur debat të ashpër kohët e fundit, me shqetësime të shumta mbi ndikimin në mjedis dhe mirëqenien e banorëve.