Gjykata Kushtetuese i jep 34 ditë shtesë Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë edhe 34 ditë shtesë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Në aktgjykimin e publikuar sot, Gjykata ka shpallur të pranueshme kërkesat e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti, në emër të Qeverisë, si dhe nga deputetja Arbërie Nagavci, në emër të 30 deputetëve.
Gjykata ka konstatuar se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik, ndërsa ka theksuar se deputetët kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas vendimit, në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Presidentin brenda këtij afati, ai shpërndahet automatikisht (ex constitutione), duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Gjykata ka rikujtuar se afati kushtetues që zgjedhja e Presidentit të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është detyrues dhe nuk mund të relativizohet.
Megjithatë, duke marrë parasysh rrethanat specifike të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, Gjykata vlerësoi se legjislativi nuk ka pasur në dispozicion afatin e plotë prej 60 ditësh për përfundimin e procedurës, siç parashihet me Kushtetutë.
Në përfundim, Gjykata ka theksuar se në të ardhmen procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë brenda afateve kushtetuese të përcaktuara.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit, ndërsa masa e përkohshme ndaj punës së Kuvendit dhe dekretit presidencial është shfuqizuar.