Gjuhën shqipe e harrojnë në derën e komunës: Konkursi “Moravica” vetëm në serbisht
Edhe komuna e Preshevës, e udhëhequr nga shqiptarë dhe me ligj të garantuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, nuk e respekton atë në praktikë. Një shembull i fundit vjen nga faqja zyrtare e komunës, ku është publikuar një konkurs për pozitën e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Moravica” – por i tërë teksti i konkursit është vetëm në gjuhën serbe, madje në alfabetin cirilik.

Ironikisht, njoftimi në hyrje është i shkruar shqip: “KONKURS PUBLIK – Për zgjedhjen e drejtorit të Ndërmarrjes publike ‘Moravica’ Preshevë”, por më pas, dokumenti zyrtar është ekskluzivisht në serbisht. Kjo nuk është vetëm shkelje formale, por një nënvlerësim i hapur i gjuhës shqipe – e cila është e garantuar me ligj si gjuhë zyrtare në këtë komunë.
Kryetarja e komunës, znj. Ardita Sinani, dhe zëvendëskryetari Ragmi Mustafa shpesh ankohen për diskriminimin institucional nga pushteti qendror në Beograd. Mirëpo në këtë rast, edhe pse pushteti lokal ka mundësinë ligjore dhe kapacitetet teknike për të përdorur shqipen – përfshirë edhe tre përkthyes të punësuar – gjuha jonë lë pas dore. Praktikat e tilla tregojnë për një qasje të papërgjegjshme e formale ndaj gjuhës amtare, që trajtohet më shumë si vegël politike sesa si vlerë themelore kombëtare.
Mungesa e përkthimeve zyrtare, shpërfillja e ligjit dhe përdorimi i gjuhës serbe në dokumentet që lidhen me institucionet shqiptare është një alarm i qartë. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike – është cenim i identitetit gjuhësor dhe institucional të shqiptarëve në Preshevë.
Në vend që të jenë shembull për ruajtjen dhe përdorimin dinjitoz të gjuhës shqipe, drejtuesit komunalë po japin mesazhin se shqipja është opsionale – madje e panevojshme – për sa kohë që pushteti lokal merret.
A1info