Gjermania përgatitet për luftë – paralajmërimi i gjeneralit Breuer për kërcënimin rus
Transmeton Koha, përcjell A1 Info
Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet e fundit në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të presidentit Donald Trump kanë nxitur Gjermaninë, vendin më të fuqishëm ekonomikisht në Evropë, por jo edhe në mbrojtje, të përgatitet për një luftë të mundshme. Gjenerali i lartë gjerman, Carsten Breuer, ka paralajmëruar se Aleanca Veriatlantike duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër vjetësh, duke theksuar nevojën urgjente për investime në mbrojtje. Sipas tij, Gjermanisë i duhen së paku 100 mijë trupa shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s.
Gjenerali Breuer ka vlerësuar se kërcënimi nga Rusia është i vërtetë dhe se agresioni rus nuk do të ndalet në Ukrainë. “Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Jemi të kërcënuar nga Putin. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar atë,” ka deklaruar ai për BBC-në.
Vlerësimi i tij për gjendjen aktuale të Bundeswehrit është i ashpër. Sipas një raporti të fundit parlamentar, ushtria gjermane përballet me mungesa të mëdha, përfshirë municione, personel dhe infrastrukturë të dëmtuar. Komisionerja e forcave të armatosura, Eva Hoegl, ka theksuar nevojën për një buxhet prej rreth 67 miliardë euro për rinovime të nevojshme.
Një sondazh i fundit nga “YouGov” tregon se 79% e gjermanëve e shohin presidentin rus Vladimir Putin si një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë evropiane, ndërsa 74% kanë shprehur shqetësime për presidentin amerikan Donald Trump, pas një fjalimi të zëvendëspresidentit JD Vance në Mynih.
Gjenerali Breuer ka bërë thirrje për rritjen e shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Gjermanisë, duke përfshirë rekrutimin e 100,000 trupave shtesë. “Nuk do t’i marrim këta 100 mijë pa një model rekrutimi. Për mua është e rëndësishme vetëm që t’i fusim ushtarët,” ka theksuar ai.
Gjenerali Breuer po bën përpjekje për të mobilizuar mbështetjen publike për përgatitje të shpejta ushtarake, duke u drejtuar qytetarëve gjermanë me pyetjen sfiduese: “A jeni gati për luftë?”
Kërcënimi i Rusisë dhe ndryshimet në politikën amerikane po ndryshojnë qasjen e Gjermanisë ndaj mbrojtjes dhe sigurisë. Alarmi për “zgjimin” e kërcënimit rus tashmë po bie me zë të lartë në Berlin.