Fuqizohet bashkëpunimi mes dy Këshillave Kombëtarë Shqiptarë 🇦🇱
Të rinjtë e Luginës së Preshevës në vizitë studimore tek shqiptarët në Mal të Zi
Në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, një grup prej mbi 15 të rinjsh e të rejash nga Lugina e Preshevës zhvilluan një vizitë studimore në Ulqin dhe Tuz.
Kjo vizitë u realizua me mbështetjen dhe bashkëpunimin e dy këshillave kombëtarë shqiptarë, me synimin për të forcuar lidhjet ndërmjet të rinjve shqiptarë në rajon dhe për të rritur bashkëpunimin institucional.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, të rinjtë e Luginës u takuan me bashkëmoshatarë, me përfaqësues të organizatave shqiptare dhe me figura të rëndësishme të jetës politike e shoqërore, ndër ta ministra shqiptarë, deputetë, kryetarë komunash si dhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Pjesë e vizitës ishin edhe ndalesa në vende me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore shqiptare në Mal të Zi, duke i njohur më nga afër me trashëgiminë dhe identitetin kombëtar.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhe, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi të vazhdueshëm, duke shtuar se projekte të tilla janë “ura të forta që lidhin shqiptarët në rajon dhe garanci për një të ardhme më të bashkuar dhe më të fuqishme.”
Në përfundim të vizitës, u shpreh mirënjohje e veçantë për Kryetarin Faik Nika dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi për mikpritjen vëllazërore dhe bashkëpunimin e ngushtë.
Bashkë jemi më të fortë.
Bashkë jemi më të rëndësishëm.