FSHF reagon me vonesë për sulmin ndaj lojtarit të Tërnocit – heshtje nga FFK
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për incidentin ndaj klubit shqiptar nga Lugina e Preshevës, KF Tërnoci, duke i dërguar letër zyrtare Federatës së Futbollit të Serbisë. Komunikata u publikua të shtunën, pak para mesnate, vetëm në faqen zyrtare të FSHF-së dhe nuk u shpërnda në rrjetet sociale.
Tërnoci, që garon në ligën e pestë të Serbisë, më 6 prill zhvilloi ndeshje kundër ekipit Mladost në Bosilegrad. Pas përfundimit të takimit, policia serbe hyri në zhveshtoren e ekipit shqiptar, ku sipas raportimeve, u sulmua fizikisht lojtari Veton Zeqiri dhe u ofenduan pjesëtarë të tjerë të skuadrës. Kontrolli përfshiu edhe sendet personale të lojtarëve.
FSHF në letrën drejtuar homologes serbe shprehet e shqetësuar për këtë ngjarje, duke përmendur edhe faktin se të dyja federatat janë bashkë-organizatore të Evropianit U21 të vitit 2027. Megjithatë, FSHF nuk e përmend askund se Tërnoci është klub shqiptar, por thekson se të gjithë duhet të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet, “pa dallim”.
Ky reagim i vonuar dhe i kufizuar, në sfondin e kritikave të mëhershme ndaj FSHF-së për heshtjen lidhur me heqjen e flamurit të Kosovës nga Kongresi i UEFA-s në Beograd, ka ngjallur reagime të reja. Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka reaguar fare për rastin e Tërnocit.
Kritikat ndaj FSHF-së janë shtuar që nga zyrtarizimi nga UEFA i bashkë-organizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë, vendim që u përshëndet nga presidenti i UEFA-s, Aleksandar Čeferin. Por në Shqipëri dhe veçanërisht në Kosovë, kundërshtimet ndaj këtij vendimi dhe qasjes së FSHF-së ndaj çështjeve që prekin futbollistët shqiptarë, janë të zëshme dhe të vazhdueshme.