Faturat e ndërmarrjeve publike përfundojnë në rrugë qytetarët i mbledhin nga toka
Në shumë pjesë të qytetit, qytetarët po përballen me një dukuri shqetësuese: faturat mujore të ndërmarrjeve publike “Moravica” dhe të elektrodistribucionit nuk po dorëzohen siç duhet, por shpesh përfundojnë për tokë, në rrugë apo në skuta të mureve.
Personat përgjegjës për shpërndarjen nuk i dorëzojnë faturat në adresat përkatëse, por i lënë në vende të parregullta , në qoshë për krejt lagjen apo thjesht i fusin pas ndonjë muri.
Qytetarët shpesh i gjejnë këto fatura duke ecur rrugës, të hedhura përdhe, ndërsa në rast se bie shi, faturat lagën, dëmtohen apo edhe zhduken fare.
“Nuk është hera e parë që e gjej faturën për toke. Disa herë është e dëmtuar nga uji, e ndonjëherë as nuk e gjej fare,” thotë një banor i lagjes.
Kjo praktikë po shkakton jo vetëm pakënaqësi te qytetarët, por edhe probleme në pagesa, pasi shumë prej tyre mbesin pa e ditur se kanë faturë, duke rrezikuar vonesa dhe gjoba.
Qytetarët kërkojnë përgjegjësi nga ndërmarrjet publike dhe operatorët e shpërndarjes, si dhe kalim gradual në faturimin elektronik, për të shmangur humbjen e dokumenteve dhe keqinformimin.
A1 info