Enkel Rexhepi: Rikthimi i Programit për Policinë Multietnike – Zgjidhja e Vetme për Barazi në Luginë
Preshevë, 30 maj 2025 – Pas shqetësimeve të ngritura nga Këshilli Kombëtar Shqiptar për mosangazhimin e shqiptarëve në Policinë e Serbisë, çështja e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore ka rikthyer në vëmendje një nga temat më kritike në Luginën e Preshevës: diskriminimi sistematik dhe mungesa e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në vend të masave konkrete, autoritetet shtetërore janë përpjekur të justifikojnë mungesën e shqiptarëve në polici përmes arsyetimeve të njohura: interesimi i ulët, mungesa e kushteve, apo madje edhe “propagandë”. Por sipas përfaqësuesve lokalë, kjo është vetëm një përpjekje për të fshehur dështimin institucional.
Përfaqësimi i shqiptarëve në polici, siç theksohet nga autoritetet vendore dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare si Marrëveshja e Konçulit (2001) dhe Plani 7-Pikësh (2013), është obligim kushtetues dhe nuk mund të trajtohet me masa simbolike.
Në një deklaratë të qartë, theksohet se rikthimi i Programit për Policinë Multietnike është i vetmi variant real për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe barazi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kërkohet një program i strukturuar dhe afatgjatë që do të pasqyrojë përbërjen etnike sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, ku shqiptarët përbëjnë rreth 94% në Preshevë, 62% në Bujanoc, dhe 15% në Medvegjë.
“Përjashtimi i shqiptarëve nga Policia për më shumë se 15 vite nuk mund të zgjidhet me punësime simbolike. Kërkojmë masa serioze, që pasqyrojnë strukturën etnike të rajonit dhe i japin fund diskriminimit shumëvjeçar institucional,” thuhet në qëndrimin zyrtar.
Apeli drejtuar institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare është i qartë: Integrimi real i shqiptarëve në polici dhe në institucionet shtetërore duhet të jetë hapi i parë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe barazie të plotë në Luginë.