Enkel Rexhepi: “Refuzojmë spektaklet politike pa rezultate konkrete”
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se ka refuzuar takimin me ministrin Demo Berisha, duke e konsideruar atë një “spektakël politik pa rezultate konkrete”.
Rexhepi tha se nuk lejon që institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Serbi të përdoret për qëllime mediatike dhe për takime që nuk sjellin zgjidhje reale për qytetarët shqiptarë të Luginës. Vendimi i tij, sipas tij, është komunikuar edhe korit diplomatik.
Në reagimin e tij, Rexhepi ngriti disa çështje konkrete:
Prej muajsh janë të bllokuara fondet për trashëgiminë agrokulturore dhe mbi 900 fermerë shqiptarë nuk marrin mbështetjen e fituar me meritë. Plani për Integrimin e Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023–2026) po shkon drejt dështimit total, pa asnjë hap konkret nga ministria. Vetë ministri ka përdorur, siç tha Rexhepi, “gjuhë kriminalizuese ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar”.
“🇦🇱 Mjaftë me spektakle, shqiptarët e Luginës presin veprim e rezultate”, ka përfunduar Rexhepi.
Analizë nga -A1info: Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Partia për Veprim Demokratik shpesh kanë shfaqur qëndrime të ashpra ndaj Beogradit, pushteti aktual në Preshevë ka mbajtur takime të vazhdueshme me trupin koordinues dhe me përfaqësues të qeverisë së Serbisë. Kjo ka hapur dyshime në opinion se një pjesë e këtyre qëndrimeve mund të jenë vetëm “kamuflim politik” për të manipuluar bujqit.